Mesfushori dhe kapiteni i Atalantës, Marten De Roon, i ka dhënë lamtumirën Berat Gjimshitit, i cili u largua nga klubi dhe do ta vijojë karrierën tek Al Diriyah. “Miku im, si mund t’i gjej fjalët e duhura për të përshkruar gjithçka që kemi përjetuar së bashku gjatë dhjetë viteve të fundit? Nga gjashtë muajt tanë të parë me Reja deri sot, dhjetë vjet më vonë.
Zhgënjimet dhe fitoret e jashtëzakonshme. Historinë që kemi shkruar. E kemi çuar Atalantën në të gjithë Europën, duke u përballur me klubet më të mëdha dhe lojtarët më të fortë në botë. Champions League, ‘Europa League’, finalet e Kupës së Italisë… Praktikisht gjithçka që një futbollist mund të dëshirojë. Dhe ne kemi qenë gjithmonë bashkë”.
De Roon veçon veçanërisht gjestin e Gjimshitit pas triumfit në “Europa League”: “Në një moment kur mund të tërhiqje gjithë vëmendjen dhe të shijoje lavdinë tënde, ti mendove për Rafa dhe mua, dy njerëz me të cilët kishe ndarë kaq shumë, por që po kalonim një periudhë të vështirë. Ai gjest të përshkruan më mirë se çdo fjalë. Më preku thellë”.
Duke e cilësuar Gjimshitin “një legjendë të këtij klubi”, De Roon shtoi: “Mbi të gjitha, për mua je një mik dhe njeri që ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme. Jam i sigurt se rrugët tona do të kryqëzohen sërish. Faleminderit për gjithçka!”
Gjimshiti, mesazh emocionues lamtumire nga Atalanta: Këtë shtëpi do ta mbaj gjithmonë brenda vetes







