“Kjo është diplomaci”, Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Vuçiqin

Një reagim i kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër ka marrë vëmendjen e deputetes britanike Alicia Kearns.

Kearns e ka shpërndarë në platformën X postimin e Ramës, duke e shoqëruar me një koment të shkurtër: “This is diplomacy” në shqip “Kjo është diplomaci”.

Reagimi i deputetes britanike vjen në një kohë kur deklaratat e Vuçiqit për lumin Ibër kanë rikthyer në vëmendje çështjen e furnizimit me ujë të Kosovës dhe ndikimin që mund të ketë një ndërhyrje në rrjedhën e lumit.

Presidenti serb ka deklaruar se Beogradi po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, një ide që është diskutuar edhe më herët në Serbi. Një ndërhyrje e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sistemin ujor të Kosovës, përfshirë zonën e liqenit të Ujmanit.

Në këtë kontekst, Kearns ka vlerësuar publikisht qasjen e Ramës, duke e cilësuar atë si shembull të diplomacisë.

Deputetja britanike ka qenë prej vitesh një zë i angazhuar për zhvillimet në Kosovë dhe për politikën e Serbisë në rajon. Ajo ka kritikuar në vazhdimësi qasjen e Beogradit ndaj Kosovës dhe ka kërkuar një angazhim më të madh të vendeve perëndimore në Ballkan.

Ndërkohë, debati për të ardhmen e Ibrit mbetet i ndjeshëm, pasi lumi dhe infrastruktura ujore e lidhur me të kanë rëndësi strategjike për furnizimin me ujë dhe funksionimin e disa prej sistemeve kryesore në Kosovë. Ekspertët kanë paralajmëruar më herët se ndryshimi i rrjedhës së lumit do të ngrinte edhe çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave për ujërat ndërkufitare.

Rama i reagon ashpër Gjuriqit: Kosova është Republikë sovrane, territori i saj nuk është i Serbisë