Interi, hakmarrja dhe apoteoza e tripletës, flet Mourinho: Nuk bëhet një dokumentar për një trajner që nuk ka fituar asgjë

“Nuk bëhet një dokumentar për një trajner që nuk ka fituar asgjë. Unë kam lindur në futboll, e jetoj çdo ditë të jetës sime dhe pa të do të ndihesha i paplotë. Çfarë ndjesie është të fitosh? Për mua është normale, kam fituar gjithë jetën”. Kështu nis dokumentari i Netflix për José Mourinho, një rrëfim që nis në Setúbal dhe arrin deri në majën e botës.

Në shtëpinë e tij, Mourinho ruan trofetë dhe kujtimet më të çmuara, mes tyre këpucët e Maradonës dhe fanellën e parë të Cristiano Ronaldos te Sportingu. Për epitetin “Special One”, ai thotë: “Nuk jam ndier kurrë i tillë”.

Te Chelsea, në vitin 2004, mbërriti me skepticizëm, pavarësisht se sapo kishte fituar Champions-in me Porton: “E konsideroj veten një ‘Special One’”. Sir Alex Ferguson habitej: “Nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje dhe e quan veten ‘Special One’?”

Mourinho fitoi dy Premier League radhazi, por marrëdhënia me Abramovich u prish. Ai kujton: “Nuk ishte më Chelsea ynë. U ndjeva i tradhtuar dhe doja hakmarrje”. Pas shkarkimit, lojtarët qanë. John Terry tha: “Jose kishte një mënyrë magjike për të na fituar”.

Dikur punoi te Barcelona me Bobby Robson dhe e studioi futbollin intensivisht. I quajtur “përkthyes”, ai vazhdoi të ndërtonte ëndrrën. Më 2008 kaloi në Milano tek Interi, duke fituar tripletën historike sezonale me zikaltrit.

Interi, hakmarrja dhe apoteoza e Tripletës…
“Më kishte impresionuar dashuria e tifozëve për Mourinhon dhe vendosa ta merrja patjetër, sepse është një fenomen”. Massimo Moratti e kërkoi me çdo kusht. Në sezonin e parë, Mourinho fitoi Superkupën dhe titullin kampion, por objektivi ishte Champions-i.

Në verë u largua Ibrahimovic drejt Barcelonës. Zanetti zbulon: “José shkoi te Moratti dhe i tha: Nëse marrim pesë lojtarë, fitojmë Champions-in”. Moratti pranoi: “Doja ta ndiente veten të sigurt dhe të mbrojtur, ndaj ia plotësova kërkesat”. Transferimi i Ibrahimovic solli edhe Samuel Eto’o. Në çerekfinale, Mourinho eliminoi Chelsea: “Po luaja kundër Abramovich, jo kundër lojtarëve të Chelsea. Ishte një sfidë mes meje dhe atij. Doja hakmarrje”.

Në gjysmëfinale, Barcelona. Në “Camp Nou”, Interi luajti pothuajse gjithë ndeshjen me një lojtar më pak. Mourinho kujton: “Iu thashë djemve se nuk ishte një ndeshje, por të rezistonim në një luftë, në një rrethim”. Interi rezistoi dhe kaloi në finale.

Në finale, ndaj Bayernit, erdhi tripleta, por Mourinho e kishte vendosur tashmë të largohej: “Tek Interi gjeta dashuri, respekt dhe një skuadër që ishte gati të më ndiqte kudo. Megjithatë, dëshira ime për Real Madridin ishte më e fortë”. Pas triumfit, ai nuk u kthye me skuadrën zikaltër në Milano: “Iu arratisa emocioneve të mia. Puna tek Interi kishte përfunduar”.