Importi i veturave nga Koreja e Jugut është shndërruar në një nga temat më të diskutuara në tregun kosovar të automjeteve. Derisa importuesit që sjellin vetura nga Evropa po kundërshtojnë mënyrën e vlerësimit doganor të automjeteve koreane, institucionet e drejtësisë kanë nisur hetime edhe për raste të dyshuara të manipulimit të dokumenteve gjatë importit të disa veturave.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës janar-korrik 2026 në Kosovë janë importuar gjithsej 24 mijë e 802 vetura, me vlerë të deklaruar prej rreth 363 milionë eurosh. Nga këto importe, shteti ka inkasuar mbi 109 milionë euro përmes doganës, akcizës dhe TVSH-së.
Rritja importit të veturave nga Korea Jugore ka nxitur reagimin e autosalloneve që importojnë automjete nga Evropa. Përfaqësuesi i tyre ligjor, avokati Besim Curri, pretendon se Dogana e Kosovës ka aplikuar një udhëzim që u mundëson automjeteve nga Koreja e Jugut një zbritje prej 25 për qind në vlerësimin doganor, duke krijuar trajtim të pabarabartë në raport me automjetet që importohen nga tregu evropian.
Sipas tij, dy automjete me karakteristika identike nuk mund të trajtohen ndryshe vetëm për shkak të tregut nga i cili janë importuar. Autosallonët kanë dorëzuar ankesa dhe kanë paralajmëruar se çështjen do ta ndjekin edhe në gjykata.
Për këtë temë ka reaguar edhe ish-drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi. Ai vlerëson se çdo vendim që mund të ndikojë në konkurrencën në treg duhet të kalojë përmes një vlerësimi profesional nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Sipas tij, nëse një masë i vendos importuesit e një tregu në pozitë më të favorshme se të tjerët, atëherë autoriteti ka të drejtë të ndërhyjë dhe të rekomandojë eliminimin e praktikave potencialisht diskriminuese.
Në mes të këtij debati ka shpërthyer edhe një rast penal që lidhet me veturat nga Koreja e Jugut. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka sekuestruar pesë automjete në Vushtrri nën dyshimin për përdorim të dokumenteve të falsifikuara gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se në librezat koreane të automjeteve është manipuluar data e regjistrimit të parë, duke e ndryshuar atë nga viti 2015 në vitin 2016. Dyshohet se kjo është bërë me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kriteret ligjore për import në Kosovë. Pesë veturat janë sekuestruar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Rritja e shpejtë e importeve nga Koreja e Jugut, debati për trajtimin doganor dhe hetimet për dokumentet e dyshuara të falsifikuara kanë vendosur këtë treg në qendër të vëmendjes publike. Tashmë mbetet në dorën e institucioneve që përmes hetimeve dhe procedurave ligjore të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me raste të izoluara apo me një fenomen më të gjerë që po ndikon në tregun kosovar të automjeteve.








