Roli i shkollës në ngritjen e cilësisë në arsim

Shkruan: Burim Gjaka

Fejton analitik – Pjesa e Parë

Shkolla – zemra e sistemit arsimor në Kosovë

“Udhëheqja e shkollës është thelbësore për krijimin e mjediseve ku mësimdhënësit dhe stafi shkollor përmirësohen vazhdimisht për të mbështetur të nxënit dhe mirëqenien e nxënësve.”
— OECD —

Hyrje- Pse duhet të flasim për roloin e shkollës?

Arsimi është një nga shtyllat themelore mbi të cilat ndërtohet zhvillimi i një shoqërie. Ai nuk përcakton vetëm nivelin e njohurive të një brezi, por ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, në kulturën demokratike, në aftësinë e qytetarëve për të menduar në mënyrë kritike dhe në kapacitetin e një vendi për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.

Pikërisht për këtë arsye, diskutimi për cilësinë në arsim nuk mund të kufizohet vetëm te numri i reformave, ndryshimi i ligjeve, hartimi i strategjive apo rritja e investimeve financiare. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por pyetja themelore duhet të jetë shumë më konkrete:

A po përmirësohet realisht ajo që ndodh çdo ditë në shkollë?

Kjo është pyetja që duhet të qëndrojë në qendër të çdo politike arsimore. Sepse shkolla është vendi ku politika arsimore përkthehet në praktikë. Aty një dokument strategjik shndërrohet në veprim, një reformë testohet në realitet, një program mësimor bëhet përvojë konkrete për nxënësin dhe një vendim institucional merr vlerën e tij të vërtetë.

Në fund të fundit, nxënësi nuk e përjeton arsimin përmes strategjive, udhëzimeve administrative apo raporteve institucionale. Ai e përjeton atë përmes mësimdhënësit, klasës, drejtorit, marrëdhënieve me bashkëmoshatarët, klimës së shkollës, mënyrës së vlerësimit dhe mundësive që i krijohen për të mësuar. Prandaj, nëse duam të kuptojmë se sa cilësor është një sistem arsimor, duhet të shohim nga ajo që ndodh në shkollat e tij.

Ky fejton analitik nis pikërisht nga ky parim: nëse duam një sistem arsimor cilësor, duhet të fillojmë nga shkolla.

Qëllimi i kësaj serie nuk është vetëm të evidentojë problemet që shfaqen në sistemin arsimor, por të analizojë faktorët që përcaktojnë cilësinë e shkollës, rolin e njerëzve që e udhëheqin dhe e ndërtojnë atë, si dhe mundësitë për përmirësim të qëndrueshëm.

Analiza do të mbështetet në kërkimet bashkëkohore ndërkombëtare mbi cilësinë e arsimit, udhëheqjen shkollore, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, kulturën organizative dhe përdorimin e të dhënave, por njëkohësisht do të lidhet me realitetin konkret të sistemit arsimor në Kosovë. Sepse arsimi nuk përmirësohet vetëm nga lart-poshtë.

Ai përmirësohet atëherë kur ndryshimi arrin në klasë, kur mbështet mësimdhënësin, kur fuqizon shkollën, kur drejtori udhëheq me vizion dhe kur nxënësi vendoset realisht në qendër të procesit.

Shkolla nuk është fundi i sistemit, por qendra e tij

Në shumë sisteme arsimore ekziston një perceptim i vjetërsuar sipas të cilit shkolla është hallka e fundit e një zinxhiri administrativ, ku vetëm zbatohen vendimet e marra në nivelet më të larta. Një qasje e tillë e zvogëlon rolin e shkollës. Shkolla nuk është thjesht vendi ku zbatohen politikat arsimore. Ajo është vendi ku provohet nëse ato politika funksionojnë apo jo.

Ministria e Arsimit harton politika dhe strategji. Drejtoritë Komunale të Arsimit organizojnë, koordinojnë dhe mbështesin funksionimin e institucioneve arsimore. Por ndikimi real i këtyre strukturave mund të vlerësohet vetëm përmes asaj që ndodh në shkolla.

Nëse një reformë nuk përmirëson procesin mësimor, nuk e ndihmon mësimdhënësin të zhvillohet profesionalisht, nuk përmirëson klimën e shkollës dhe nuk ndikon pozitivisht në rezultatet dhe mirëqenien e nxënësve, atëherë duhet të shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë me reformë reale apo vetëm me ndryshim formal.

Kjo është arsyeja pse sistemet arsimore të orientuara drejt cilësisë nuk fokusohen vetëm në prodhimin e dokumenteve, por në krijimin e shkollave që kanë kapacitet të mësojnë, të reflektojnë dhe të përmirësohen. Një shkollë e mirë nuk është thjesht një ndërtesë me laboratorë, kompjuterë, tabela moderne apo infrastrukturë të përshtatshme. Të gjitha këto kanë rëndësi, por nuk janë të mjaftueshme.

Shkolla është para së gjithash një komunitet profesional.

Ajo është një hapësirë ku drejtori, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe komuniteti duhet të bashkëpunojnë rreth një qëllimi të përbashkët: të krijojnë kushtet më të mira të mundshme për të nxënit dhe zhvillimin e nxënësit.

Cilësia e shkollës ndërtohet ng njerëzit dhe kultura e saj

Në literaturën bashkëkohore të arsimit, cilësia e shkollës shihet gjithnjë e më shumë si rezultat i ndërveprimit të disa faktorëve: cilësisë së mësimdhënies, udhëheqjes së shkollës, zhvillimit profesional, klimës institucionale, bashkëpunimit ndërmjet stafit dhe aftësisë së shkollës për të përdorur të dhënat për përmirësim.

Një shkollë cilësore karakterizohet nga disa elemente themelore:

  • një drejtues që udhëheq me vizion, integritet dhe përgjegjësi;
  • mësimdhënës që zhvillohen vazhdimisht profesionalisht;
  • bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet stafit;
  • kulturë profesionale të bazuar në besim dhe përgjegjësi;
  • klimë pozitive, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse;
  • komunikim të hapur me prindërit dhe komunitetin;
  • përdorim të të dhënave për marrjen e vendimeve;
  • vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve;
  • gatishmëri për reflektim dhe ndryshim.

Kjo nënkupton se cilësia nuk mund të ndërtohet vetëm përmes kontrollit.

Ajo ndërtohet përmes kulturës.

Një shkollë ku mësimdhënësit kanë frikë të flasin për problemet, ku gabimet fshihen në vend që të analizohen dhe ku bashkëpunimi mbetet vetëm në dokumente, e ka të vështirë të zhvillohet. Në të kundërtën, një shkollë ku mësimdhënësit mund të diskutojnë për vështirësitë, të shkëmbejnë përvoja, të vëzhgojnë praktikat e njëri-tjetrit dhe të kërkojnë zgjidhje të përbashkëta krijon atë që literatura e quan kulturë profesionale të bashkëpunimit.

Kjo është një nga karakteristikat e shkollës që mëson.

Shkolla si  “organizatë që mëson”

Një nga ndryshimet më të rëndësishme në mënyrën moderne të të menduarit për shkollën është kalimi nga koncepti i shkollës si institucion administrativ drejt konceptit të shkollës si organizatë që mëson.

Një organizatë që mëson nuk kënaqet me pyetjen: Çfarë kemi bërë? Ajo pyet: Çfarë rezultati kemi arritur? Çfarë nuk funksionoi? Pse nuk funksionoi? Çfarë duhet të ndryshojmë?

Kjo qasje kërkon që shkolla të mos e shohë planifikimin si formalitet dhe vlerësimin si procedurë administrative. Planet zhvillimore, të dhënat e suksesit, rezultatet e vlerësimeve, pjesëmarrja e nxënësve, mungesat, klima e shkollës dhe të dhëna të tjera duhet të shërbejnë si burime për vendimmarrje. Një shkollë profesionale nuk duhet vetëm të mbledhë të dhëna. Ajo duhet t’i lexojë dhe t’i përdorë ato për të ndryshuar praktikën.

Për shembull, nëse rezultatet tregojnë se nxënësit kanë vështirësi të vazhdueshme në lexim, matematikë apo në një kompetencë të caktuar, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se sa nxënës kanë dështuar.

Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë duhet të ndryshojë shkolla që rezultati të jetë më i mirë? Këtu fillon përmirësimi institucional.

Mësimi nuk përmirësohet pa zhvillimin e mësimdhënësit

Në qendër të shkollës qëndron mësimdhënësi. Asnjë reformë, sado moderne të jetë në letër, nuk mund të japë rezultat nëse nuk përkthehet në praktikë nga profesionisti që qëndron çdo ditë përballë nxënësve. Prandaj, zhvillimi profesional i mësimdhënësve nuk duhet të shihet si një aktivitet i rastësishëm, i realizuar vetëm për të përmbushur një kërkesë administrative. Ai duhet të jetë pjesë e kulturës së përditshme të shkollës.

Kjo nënkupton mentorim, bashkëpunim profesional, shkëmbim të praktikave të mira, reflektim mbi orët mësimore, përdorim të metodave bashkëkohore dhe lidhje të zhvillimit profesional me nevojat reale të nxënësve. Kjo do të thotë se shkolla duhet të bëhet edhe hapësirë e të nxënit profesional të vetë mësimdhënësve. Një mësimdhënës nuk duhet të shihet vetëm si zbatues i një kurrikule. Ai është profesionist që interpreton kurrikulën, përshtat metodat, vlerëson nevojat e nxënësve dhe merr vendime pedagogjike çdo ditë. Prandaj, investimi në zhvillimin profesional të mësimdhënësve është në thelb investim në cilësinë e shkollës.

Një sfidë për Kosovën: rezultatet dhe autonomia e shkollës

Për Kosovën, diskutimi për cilësinë e shkollës nuk është vetëm çështje teorike. Rezultatet e nxënësve tregojnë se sistemi ka ende sfida të mëdha. Rezultatet e PISA 2022 treguan se performanca mesatare e nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë ra krahasuar me vitin 2018 në matematikë, lexim dhe shkencë. Këto rezultate nuk duhet të përdoren për të fajësuar shkollat apo mësimdhënësit. Përkundrazi. Ato duhet të përdoren për të pyetur se çfarë mbështetjeje i duhet shkollës për të përmirësuar rezultatet.

Një tjetër çështje me rëndësi është autonomia. Sipas të dhënave të PISA 2022, vetëm 3% e nxënësve në Kosovë ishin në shkolla ku drejtorët kishin përgjegjësinë kryesore për punësimin e mësimdhënësve, krahasuar me një mesatare prej 60% në vendet e OECD-së. Kjo e hap një debat të rëndësishëm për të ardhmen e arsimit në Kosovë: Sa përgjegjësi kërkojmë nga shkolla dhe sa kompetenca reale i japim asaj për të ushtruar këtë përgjegjësi?

Nuk mund të kërkohet njëkohësisht që shkolla të jetë plotësisht përgjegjëse për rezultatet, ndërsa ajo ka kompetenca të kufizuara mbi burimet njerëzore, zhvillimin profesional, organizimin dhe disa nga vendimet kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e saj.

Përgjegjësia dhe autonomia duhet të ecin së bashku. Më shumë përgjegjësi pa më shumë kapacitete krijon presion; më shumë autonomi pa llogaridhënie krijon rrezik. Cilësia kërkon ekuilibrin ndërmjet të dyjave.

Nga administrimi i shkollës drejt udhëheqjes së saj

Në këtë pikë shfaqet një nga çështjet më të rëndësishme të kësaj serie: roli i drejtorit të shkollës. Një shkollë mund të ketë dokumente të mira, staf profesional dhe infrastrukturë të përshtatshme, por pa udhëheqje të mirë është shumë e vështirë të krijojë zhvillim të qëndrueshëm. Drejtori nuk duhet të jetë vetëm personi që nënshkruan dokumentet, menaxhon orarin, administron personelin dhe përgjigjet ndaj kërkesave administrative. Ai duhet të jetë udhëheqës pedagogjik, organizativ dhe zhvillimor. Drejtori duhet të jetë personi që krijon vizion, mobilizon stafin, ndërton besim, nxit bashkëpunimin dhe e orienton institucionin drejt përmirësimit.

Në këtë kuptim, drejtori nuk duhet vetëm të pyesë:

“A është zhvilluar ora mësimore?” Por edhe: “Çfarë po mësojnë nxënësit?”, “Cilat janë vështirësitë e tyre?”, “Si po i mbështesim mësimdhënësit?”, “Çfarë duhet të ndryshojmë si shkollë?”

Këto pyetje e zhvendosin drejtimin nga administrimi i përditshëm drejt lidershipit për të nxënit.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha të shkollës moderne: të mos mjaftohet me funksionimin e institucionit, por të udhëheqë zhvillimin e tij.

Shkolla e së ardhmes – institucion që meson, bshkëpunon dhe ndryshon

Shkolla e shekullit XXI duhet të jetë shumë më tepër sesa një vend ku zhvillohen orët mësimore. Ajo duhet të jetë hapësirë ku nxënësit mësojnë të mendojnë, të argumentojnë, të bashkëpunojnë, të krijojnë dhe të zgjidhin probleme. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojë edhe mënyra se si e konceptojmë institucionin shkollor. Shkolla e së ardhmes duhet të mbështetet në disa parime:

  • Drejtori duhet të jetë lider pedagogjik dhe jo vetëm administrator.
  • Mësimdhënësi duhet të jetë profesionist që zhvillohet vazhdimisht dhe jo vetëm zbatues i programeve.
  • Nxënësi duhet të jetë pjesëmarrës aktiv dhe jo përfitues pasiv i dijes.
  • Prindi duhet të jetë partner dhe jo vetëm palë që kontaktohet kur shfaqet një problem.
  • Komuniteti duhet të shihet si burim mbështetjeje dhe ekspertize.
  • Të dhënat duhet të përdoren për përmirësim dhe jo vetëm për raportim.
  • Vlerësimi duhet të shërbejë për të kuptuar se çfarë duhet përmirësuar, jo vetëm për të dhënë një rezultat.
  • Bashkëpunimi profesional duhet të bëhet pjesë e kulturës së shkollës.

Vetëm një shkollë që ka aftësi të mësojë nga përvoja e saj mund të ndërtojë cilësi të qëndrueshme.

Përfundim – Cilësia fillon në shkollë

Cilësia e arsimit nuk fillon në dokumentet strategjike dhe nuk përfundon në raportet institucionale. Ajo fillon çdo mëngjes kur hapen dyert e shkollës. Ajo ndërtohet në çdo klasë, në çdo orë mësimore, në çdo marrëdhënie ndërmjet mësimdhënësit dhe nxënësit, në çdo vendim të drejtuesve dhe në çdo përpjekje për ta bërë shkollën më të mirë. Prandaj, nëse Kosova dëshiron një sistem arsimor më cilësor, duhet ta ndryshojë edhe mënyrën se si e sheh shkollën.

Shkolla nuk duhet të jetë vetëm objekt i politikave arsimore. Ajo duhet të jetë partner i tyre. Nuk duhet të jetë vetëm vendi ku zbatohen vendimet. Duhet të jetë vendi ku ndërtohen dhe testohen zgjidhjet. Nuk duhet të kërkojmë vetëm më shumë përgjegjësi nga shkollat. Duhet t’u krijojmë atyre edhe kapacitetet, kompetencat dhe mbështetjen e nevojshme për ta përmbushur këtë përgjegjësi.

Sepse një sistem arsimor nuk bëhet cilësor vetëm duke prodhuar politika të mira. Ai bëhet cilësor kur politikat e mira arrijnë në klasë dhe shndërrohen në përvoja më të mira të të nxënit.Dhe kjo ndodh në një vend: në shkollë.

Në fund, cilësia e një vendi fillon aty ku fillon edukimi i fëmijëve të tij.

___________________________________________________________________

Vijon…

Në pjesën e dytë do të trajtohet një nga faktorët më përcaktues të cilësisë së shkollës: roli i drejtorit të shkollës.

Nga administrimi tradicional drejt lidershipit profesional: çfarë do të thotë të jesh drejtues i një shkolle në shekullin XXI? A mjafton të menaxhosh dokumentet, orarin, personelin dhe proceset administrative, apo drejtori duhet të jetë mbi të gjitha udhëheqës i të nxënit, i ndryshimit dhe i zhvillimit institucional?

Pikërisht këtu fillon diskutimi për shkollën që nuk menaxhohet vetëm, por udhëhiqet drejt cilësisë.