Lajmi i rremë për Kadrijajn, Deliu-Kodra kërkon shkarkimin e Hoxhës: S’mjafton kërkimfalja

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas postimit të Elvis Hoxhës, të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kishte shpërndarë një lajm të rremë për se kinse ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq e ka lavdëruar deputeten e Aleancës, Time Kadrijaj që e gjuajti me vezë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Deliu-Kodra ka kërkuar që përgjegjësia për këtë rast të mos mbetet vetëm te Hoxha, duke ia atribuar atë edhe kryeministrit Kurti, i cili, sipas saj, ka emëruar dhe promovuar persona në poste këshilltarësh dhe në strukturat drejtuese të LVV-së.

“Meqë Elvis Hoxha nuk merr përgjegjësi dhe nuk e sheh dorëheqjen si akt etik, përgjegjësinë duhet ta mbajë ai që e ka emëruar”, ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook, \.

Ajo ka akuzuar Hoxhën se, përmes postimit, është përfshirë në përhapjen e “narrativave dhe lajmeve të rreme të Serbisë” kundër pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas deputetes së PDK-së, heshtja e Kurtit për raste të tilla nuk mund të konsiderohet më vetëm heshtje, por “përgjegjësi politike”.

Deliu-Kodra ka kërkuar masa konkrete, duke thënë se nuk mjafton as kërkimfalja dhe as distancimi formal.

“Nëse ka përgjegjësi morale dhe politike, ajo duhet të pasohet me veprim: shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi për secilin që ka përdorur postin për të përhapur shpifje e propagandë kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, ka deklaruar ajo.

Në fund të reagimit, deputetja e PDK-së ka përmbyllur me fjalën: “Turp!”/