Ambientalisti Besnik Shabiu ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e cilësuar një veprim të tillë si të palejueshëm.
Ai në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova theksoi se menaxhimi i resurseve ujore ndërkufitare rregullohet me marrëveshje dhe ligje ndërkombëtare.
“Absolutisht është e palejueshme, sepse kemi marrëveshje të cilat, sidomos në zonat ndërkufitare, resurset në këtë rast të cilat janë vitale, që normalisht një prej resurseve vitale është edhe uji, nuk mund të bëhen veprime të tilla pa pasur edhe miratimin edhe të faktorëve të tjerë, në këtë rast edhe përfshirjen e faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian e kështu me radhë. Ekzistojnë edhe ligje të veçanta për resurset ujore, të cilat normalisht nuk guxojnë që të ndërmerren masa të tilla të cilat ia cenojnë mundësinë në qasjen e ujit një shteti asi shteti tjetër”, tha ai.
Ai vlerësoi se deklarata e presidentit serb mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të nxitur debat dhe për të matur reagimin e Kosovës dhe të faktorit ndërkombëtar.
“Ky është një lajm sot që besoj më tepër presidenti Vuçiq po e përdor për të nxitur debat dhe për të parë edhe reagimin nga ana e Kosovës. Por, në anën tjetër, normalisht janë momente të caktuara kur shtetet i përdorin këto lloj politikash për të parë edhe mbështetjen të cilën e kanë si shtete, për të parë se si do të reagojë tash faktori ndërkombëtar. A do të ketë, a do të arrihet ajo mbështetja që pretendohet që duhet të vijë nga shtetet e Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe kjo mandej e hap rrugën për të bërë edhe veprime të tjera politike”, deklaroi Shabiu.
Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje që do të ndikonte në furnizimin me ujë mund të kishte pasoja serioze.
“Ujmanin e kemi një liqe vital për jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne e dimë që, në këtë rast, nëse veçse bëhet një gjë e tillë, atëherë ne mund që për një periudhë shumë të shkurtër kohore, një ose dy ditë, të mos kemi mundësi që të kemi konsum të energjisë elektrike, sepse në mënyrë automatike ne e dimë që termocentralet varen direkt prej Ujmanit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në këtë rast shteti i Republikës së Kosovës, nuk mund ta përballojë as një deri në dy ditë një gjendje të tillë”, u shpreh ai.
Në këtë situatë, Shabiu kërkoi reagim të shpejtë nga institucionet e Kosovës dhe mobilizim të faktorit ndërkombëtar.
“Çka duhet të bëjë politika kosovare? Besoj çdo minutë që kalon dhe nuk ka reagim është i vonshëm. Duhet në mënyrë automatike që të lëshohemi edhe ne tash në ofensivë dhe të kërkojmë reagim të menjëhershëm të faktorit ndërkombëtar, sepse Serbia në asnjë formë nuk guxon që të na provokojë në forma të ndryshme. Ajo veç e ka bërë një gjë të tillë, por nuk duhet të guxojë që kjo të kalojë pa një ofensivë nga pala kosovare, që të kërkojnë edhe reagime të menjëhershme të faktorit ndërkombëtar”, përfundoi Shabiu./








