Xhemajli i Aleancës për VV-në: Po gënjejnë duke krijuar imazhe me Inteligjencë Artificiale

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj disa fotomontazheve të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, të cilat paraqiten kinse si reagime të mediave serbe dhe Marko Gjuriqit për veprimin e djeshëm të deputetes së kësaj partie, Time Kadrijaj.

Xhemaili ka theksuar se këto materiale përmbajnë edhe gabime evidente, përfshirë datën dhe emrin e Prishtinës, ndërsa ka vënë në dukje se e njëjta fotografi është shpërndarë edhe nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Fake News, kjo është Lufta Hibride në vepër! Edhe datën e kanë gabim, edhe emrin e Prishtinës e shkruajnë gabim. Sepse këta vetëm një gjë dinë të bëjnë, të gënjejnë. Kur nuk kanë argumente, shpikin. Kur nuk kanë fakte, prodhojnë Fake News”, ka shkruar Xhemaili.

Ai ka akuzuar zyrtarë të VV-së se po përdorin materiale të krijuara me inteligjencë artificiale për të manipuluar opinionin publik dhe për t’u dhënë atyre pamjen e reagimeve reale nga aktorë serbë.