Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 10-14 gusht, e cila pritet të karakterizohet kryesisht nga mot me diell dhe temperatura të larta.
Sipas IHMK-së, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 36°C, ndërsa ditët më të nxehta pritet të jenë e marta dhe e mërkura.
Të hënën, të martën dhe të mërkurën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë, me temperatura maksimale nga 30 deri në 36°C.
Ndërkaq, të enjten pritet zhvillim i vranësirave konvektive, duke krijuar mundësi për reshje lokale shiu, bubullima dhe stuhi të izoluara.
Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 30 deri në 34°C, raporton .
Të premten moti do të jetë kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare dhe temperatura deri në 35°C.
IHMK paralajmëron se temperaturat e larta dhe rrezatimi i shtuar diellor do të krijojnë ngarkesë termike dhe nivel të lartë deri shumë të lartë të rrezatimit UV.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell nga ora 10:00 deri në 16:00, të përdorin krem mbrojtës, kapelë dhe syze me mbrojtje UV, si dhe të konsumojnë mjaftueshëm ujë.
Kujdes të shtuar, sipas IHMK-së, duhet të kenë fëmijët, të moshuarit dhe personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.







