Omani ka bërë të ditur se bisedimet me Iranin për gjetjen e një marrëveshjeje që do të garantonte një rrugë të sigurt për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit kanë shënuar përparim.
Megjithatë, Teherani paralajmëron se edhe nëse arrihet një marrëveshje, kjo nuk do të nënkuptojë hapjen e menjëhershme të ngushticës.
Ministria e Jashtme e Omanit tha të shtunën se diskutimet po zhvillohen pozitivisht, por ende nuk ka një afat të qartë se kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Omani paralajmëroi gjithashtu kundër çdo sulmi ndaj anijeve, pasi një veprim i tillë mund të pengojë përpjekjet për rikthimin e trafikut detar.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se negociatat kanë hyrë në fazat e fundit, por rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet “e kushtëzuar nga plotësimi i kushteve të tjera”.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë. Në rrethana normale, përmes saj kalon afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të tregtuar në botë.
Bisedimet e ditëve të fundit janë përqendruar te mundësia e krijimit të një rruge të re përmes ngushticës, për të cilën Irani dhe Omani do të kishin përgjegjësi të përbashkët.
Synimi është që kjo të ndihmojë në rikthimin gradual të trafikut të anijeve, shkruan BBC, \.
Por Araghchi theksoi se një hapje e plotë e ngushticës do të varet nga përmbushja e disa kushteve të tjera.
Sipas tij, ndër to është edhe kërkesa e Iranit për kompensim nga Shtetet e Bashkuara, për atë që Teherani i konsideron shkelje të marrëveshjes së arritur në qershor për ndalimin e luftimeve dhe vazhdimin e negociatave për përfundimin e luftës.
Marrëveshja, e njohur si Memorandum Mirëkuptimi (MoU), dështoi brenda pak ditësh, ndërsa sulmet reciproke rifilluan dhe bisedimet diplomatike u ndërprenë.
Ndërkohë, Mohammad Baqer Zolqadr, zyrtari iranian përgjegjës për sigurinë, deklaroi për agjencinë gjysmëzyrtare Tasnim se Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa SHBA-ja të ndryshojë qëndrimin e saj.
Sipas tij, Irani ka gjashtë kërkesa ndaj SHBA-së, mes tyre ndalimin e kërcënimeve ndaj Iranit, heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa bisedimet mes Iranit dhe Omanit vazhdojnë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte rikthimin e transportit detar në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike të botës.








