Kërkimet në kuadër të hetimeve për rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok po vazhdojnë edhe sot, disa ditë pasi hetuesit kanë nisur punën në terren.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës gjatë ditës së sotme kanë vazhduar veprimet në lokacionin e tretë.
Sipas njoftimit në Facebook, hetuesit e rastit kanë informuar prokuroren Florije Salihu-Shamolli lidhur me gjetjet dhe rezultatet e deritanishme të punës në terren.
“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe insitucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave. Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”, thuhet në njoftim./








