Punonjësit e shpëtimit në Nepal kanë dalluar pesë trupa në një zonë ku vitin e kaluar u zhdukën po aq alpinistë, njoftuan të shtunën autoritetet.
Tre alpinistë të huaj – një shtetas italo-kanadez, një italian dhe një gjerman – si dhe dy shtetas nepalezë, rezultojnë të zhdukur që prej nëntorit të vitit të kaluar, pasi u goditën nga një ortek në malin Yalung Ri.
Dy alpinistë të tjerë, një italian dhe një francez, kishin humbur jetën në kampin bazë të malit, i cili arrin lartësinë 5.630 metra dhe ndodhet në distriktin Dolakha, pranë kufirit me rajonin e Tibetit në Kinë, shkruan Reuters, përcjell .
Thabindra Kumar Kafle, përfaqësues i komunës rurale Gaurishankar, ku ndodhet mali, tha se disa punonjës të angazhuar nga një kompani trekking-u për kërkimin e trupave i kishin dalluar ata të premten.
“Po përpiqemi të arrijmë në vendin ku janë parë trupat, por kemi mbetur të bllokuar këtu për shkak të motit të keq”, tha Phurba Tenjing Sherpa, nga kompania turistike Dreamers’ Destination, e cila kishte udhëhequr alpinistët e huaj.
Sherpa po fliste nga Bongar Khola, pranë zonës ku u dalluan trupat, ndërsa një helikopter po priste që kushtet e shikueshmërisë të përmirësoheshin.
“Trupat mund të jenë bërë të dukshëm pasi bora është shkrirë”, tha ai.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse trupat e gjetur janë të njëjtëve alpinistë që u zhdukën në malin Yalung Ri vitin e kaluar.
Mali ndodhet në luginën Rolwaling, në verilindje të Nepalit, një zonë ku alpinistët përballen me rrugë të vështira që përfshijnë terrene të përziera me shkëmbinj, akull dhe borë.








