Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për media pas takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
Abdixhiku tha se për t’u arritur një marrëveshje politike partia e tij duhet të përfaqësohet në bashkëqeverisje.
Ai shtoi se LDK-ja duhet të propozojë emrin e kandidatit për president në bashkëveprim me LVV-në.
“Çështja e presidentit, LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerin tonë dhe këtë pikë nuk kemi pasur dakordim. Pozicionimi ose oferta e dhjetorit që tashmë e keni të qartë që LDK të merr vetëm… jo kryetarin e Kuvendit, por zëvendëskryeministrin dhe disa ministri nuk qëndron nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme për të dhënë zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani… Nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar, kryeministri nuk na takon sepse është vullnet i popullit që partia e parë ta merr këtë pozicion, kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë me Kushtetutë të Kosovës, përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një propozim nga LDK të cilin e diskutojmë bashkarisht. Nëse kjo nuk arrihet atëherë me keqardhje LDK s’mund të kontribuojë më tepër në bisedime dhe takime”, tha ai.








