Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk fillon të llogaritet pa u konstituuar Kuvendi i Kosovës.
Në “Edicionin Special” në Klan Kosova, Cakolli ka sqaruar se fillimisht duhet të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të nisë periudha kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, edhe pse rregullorja e Kuvendit lejon ndërprerje të seancave deri në 48 orë, situata aktuale paraqet problem më të madh, pasi koha në dispozicion është shumë më e kufizuar.
Për ta pasur në dispicion atë periudhën 60 ditore për të diskutuar me partitë duhet fillimisht që të konstituohet Kuvendi. Pra, pa konstituim të Kuvendit, ne as nuk fillojmë që të hyjmë brenda afateve kushtetuese, në këtë rast 60 ditore për zgjedhjen e presidentit dhe që kjo normalisht ndonëse në aspektin procedural është e lejuar në bazë të ndryshimeve të rregullores në vitin 2022 lejohet që të ketë ndërprerje për sa kohë që ato nuk janë më të gjata se 48 orë ndëse në situatën aktuale problemi është dukshëm më i madh sepse më nuk i kemi 48 orë.”, ka thënë Cakolli, njofton Klankosova.tv.
Ai ka paralajmëruar se nëse parlamenti nuk arrin të zgjedhë kryetarin e tij deri në afatin e paraparë, qoftë për shkak të mungesës së propozimeve, kërkesave për kushte shtesë apo mosvazhdimit të seancës, vendi mund të drejtohet drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit tashmë është një çështje e trajtuar dhe nuk ka më hapësirë për paqartësi rreth mënyrës se si duhet të zhvillohet procedura.







