Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave, në mesin e të cilëve edhe ndaj Millan Radoiçiqit.
Më 15 prill të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte lëshuar urdhërarrest ndaj terroristit Millan Radoiçiq dhe 19 serbëve të tjerë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999, raporton Klankosova.tv.
E të enjten, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, duke propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë.
Sipas njoftimit të PSRK-së, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të kryera gjatë viteve 1998-1999.
Në mesin e të akuzuarve janë Millovan Kovaçqviq, Radomir Çolliq, Milosh Gjosan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., Millan Radoiçiq, S.G. dhe T.A.
Prokuroria thotë se “gjatë periudhës së luftës në Kosovë, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.C., si komandant i njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., si komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me pjesëtarët e këtyre njësive, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor”.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni janë vrarë 107 civilë në Komunën e Gjakovës.
“Gjatë këtij operacioni, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar në shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, sipas Prokurorisë Speciale, gjatë këtij operacioni janë djegur edhe shtëpitë e banorëve.
PSRK-ja ka bërë të ditur se ndaj të pandehurve është propozuar mbajtja e gjykimit në mungesë, ndërsa rasti do të procedohet më tej pranë institucioneve përkatëse të drejtësisë.
Sipas vendimit të cilin e kishte siguruar Klan Kosova në atë kohë, trupat e viktimave janë gjetur pas luftës në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Në arsyetim thuhej se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më datë 18.03.2025 ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa urdhërarresti bazohet në dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, të sanksionuara fillimisht me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë dhe aktualisht të paraparë me nenin 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndaj Millan Radoiçiqit ka edhe një urdhërarest për sulmin terrorist në Banjskë më 2023, sulm për të cilin ai e mori përgjegjësinë, e në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. /Klankosova.tv








