“Dyshohet se ka pasur probleme me disa persona”, detaje nga eksplodimi i veturës së 40-vjeçarit

Mbrëmjen e së mërkurës, Gjilani është tronditur nga një shpërthim i fuqishëm, që dyshohet se ka pasur në shënjestër një automjet.

Dy persona janë lënduar, një burrë i moshës rreth 40-vjeçarë dhe një grua e moshës rreth 25-vjeçare, transmeton Klankosova.tv.

Sipas informatave nga QKUK, 40-vjeçari ka pësuar lëndime më të rënda dhe është në gjendje më të rëndë.

Lidhur me këtë ngjarje, gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha bëri të ditur se Nenad Thaçi, fillimisht kishte shkuar në shtëpinë e tij për disa orë, dhe pasi ishte kthyer ka hyrë brenda veturës.

“Vajza rreth 25-vjeçare ka qëndruar jashtë makinës, ndërsa ky ishte futur brenda, dhe sapo ishte futur ka ndodhur eksplodimi”, u shpreh gazetarja në emisionin “Kosova Today”.

Sipas informacioneve të gazetares, viktima ka pasur probleme me disa persona të tjerë.

“Në fakt nga ajo që kam arritur të kuptoj, sipas informacioneve jozyrtare, ky person ka pasur probleme me disa persona të tjerë, mirëpo nuk dihet nëse të njëjtit janë pjesë e pistës së hetimeve nga ana e policisë dhe prokurorisë”, tha ajo.