Vllaznia dhe Apolonia janë gati të nisin rrugëtimin e tyre në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League, ku do të synojnë kualifikimin në fazën e tretë të kompeticionit më prestigjioz europian për klube.
Vllaznia do të zbresë nesër në fushë për ndeshjen gjysmëfinale të Grupit 6, ku do të përballet me kampionet e Sllovakisë, Spartak Myjava. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Stelios Kyriakides”, duke nisur nga ora 20:30.
Në gjysmëfinalen tjetër të Grupit 6 do të përballen skuadra qipriote Apollon Ladies dhe kampionet e Polonisë, Czarni. Nëse kalon me sukses Spartak Myjava, Vllaznia do të luajë finalen e grupit përballë fitueses së këtij çifti, me objektivin për të siguruar një vend në raundin e tretë të UEFA Women’s Champions League.
Edhe Apolonia do të nisë nesër aventurën e saj europiane në raundin e dytë. Skuadra fierake do të përballet në gjysmëfinalen e Grupit 2 me kampionet e Suedisë, Hammarby. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Pozzo-Lamarmora” në Itali, në ora 15:30.
Në rast kualifikimi, Apolonia do të luajë finalen e Grupit 2 ndaj fitueses së çiftit Juventus – SCU Torreense, ku do të diskutohet bileta për në raundin e tretë të UEFA Women’s Champions League.
Federata e Futbollit u uron shumë suksese të dyja klubeve shqiptare të vajzave në këtë rrugëtim.
al”>Telesport.








