Një nga momentet më të çuditshme të futbollit të ditëve të fundit ka ardhur nga Afrika e Jugut, ku portieri i TS Galaxy, Sipho Maseti, është bërë protagonist i një episodi që po bën xhiron e rrjeteve sociale.
Në ndeshjen ndaj Siwelele FC, e vlefshme për kampionatin jug-afrikan, skuadrat ishin në barazim 2-2 kur në minutat shtesë ndodhi episodi i pabesueshëm. Maseti doli për të zotëruar një top të gjatë të kundërshtarit, por gabimisht mendoi se ndodhej ende brenda zonës së rreptësisë dhe e kapi topin me duar.
Problemi ishte se portieri ndodhej disa metra jashtë vijës së zonës. Arbitri nuk pati asnjë dyshim dhe i tregoi menjëherë kartonin e kuq për prekje të qëllimshme të topit me dorë jashtë zonës.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, konfuzioni mund të jetë shkaktuar edhe nga vijat shtesë në fushë, pasi stadiumi ku u zhvillua ndeshja përdoret edhe për ndeshje regbie dhe disa shenja mund ta kenë hutuar portierin.
Pavarësisht gabimit të madh të Maseti, TS Galaxy arriti të rezistonte dhe e ruajti barazimin 2-2, pasi portieri rezervë Ira Tape bëri një pritje vendimtare pas goditjes së dënimit që pasoi kartonin e kuq.
al”>Telesport.







