Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar ftesën e Albin Kurtit për Lumir Abdixhikun, Bedri Hamzën dhe Ardian Gjinin.
Ai ka bërë me dije se Hamza dhe Gjini me të drejtë e kanë refuzuar ftesën.
Në profilin e tij në Facebook, Muharremi ka shkruar se pazaret politike mes LVV-së dhe LDK-së e kanë komplikuar edhe më shumë procesin e zgjedhjes se presidentit.
“Tash po shihet gabimi taktik i Kurtit dhe LVV-së rreth zgjidhjes së çështjes së Presidentit. Ose nuk është gabim por strategji me e dështu përsëri procesin e zgjidhjes së Presidentit. Ata sikur nuk duan zgjidhje fare, ashtu po veprojnë deri tani! Ata u fokusuan në marrëveshje dhe bashkëpunim me LDK-në. Ndërsa sot ju dërguan ftesa të ftohta për takime edhe PDK-së e Aleancës. U refuzuan, me të drejtë. Ato ftesa ishin bërë që të refuzohen, edhe ashtu”, ka shkruar ai, duke treguar se ku qëndron problemi.
“Problemi thelbësor është se nyja e Presidentit nuk zgjidhet me pazare politike, sepse LVV-LDK nuk i kanë votat për një president të LVV-së. Duhet një bashkëpunim më i gjerë dhe më i thellë. E sot, LVV dhe Kurti u refuzuan nga PDK-ja dhe Aleanca. Mes rreshtave, mesazhi ishte “Bëjeni marrëveshjen, ashtu siç keni deklaruar, me LDK-në dhe formoni institucionet.. Ne nuk kemi interes me qenë pjesë e qeverisë suaj.” Tash, këto pazare politike mes LVV-së dhe LDK-së e kanë komplikuar edhe më shumë zgjidhjen, sepse tash nevojitet që edhe partitë e tjera të jenë pjesë e marrëveshjes”, ka shkruar ai.








