“Ai më sheh nga lart”, Lewandowski me dedikim prekës për dy golat e parë në MLS

Nuk vonoi shumë dhe Robert Lewandowski fiton direkt dashurinë e tifozëve të klubit të tij të tij, Chicago Fire. Sulmuesi polak shënoi dy golat e fitores 2-1 të Chicago Fire në ndeshjen e fundit ndaj Charlotte.

Në përfundim të ndeshjes, sulmuesi 37-vjeçar shpjegoi se këto dy gola të parë kishin një rëndësi të veçantë emocionale për të dhe ia dedikonte të atit, që si gjithmonë e sheh nga lart (nuk jeton më).

“Siç ka ndodhur gjatë gjithë karrierës sime, babai im po më sheh nga lart. Kjo ndodhi përsëri sot dhe do të thotë shumë për mua. Mendoj se përfitova nga disa rrethana të veçanta, sepse isha ende në një fazë përgatitjeje. Këto tre javë bënë një ndryshim të madh. Punova jashtëzakonisht shumë këtë javë dhe tashmë mund ta ndieja në stërvitje se po rifitoja më shumë forcë dhe fuqi në këmbë. E dija se do të duhej kohë për t’u integruar në ekip, për të rifituar formën maksimale fizike dhe për t’u përshtatur me këtë mjedis të ri, veçanërisht pasi shokët e mi të ekipit kishin filluar të punonin shumë më herët. Më duhej të kapja nivelin e tyre, por e dija se pas këtyre tre javëve, gjërat do të përmirësoheshin. Sot, u ndjeva shumë më i qetë në fushë dhe mendoj se me çdo ndeshje, puna jonë në grup do të bëhet gjithnjë e më e natyrshme”, tha polaku në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

The post “Ai më sheh nga lart”, Lewandowski me dedikim prekës për dy golat e parë në MLS appeared first on Telesport.