Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të enjten Kuvendin e jashtëzakonshëm. Kryetari Lumir Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i LDK-së me vetëm 18 vota diferencë. Menjëherë pas këtij votimi janë miratuar disa vendime që janë cilësuar si “problematike” dhe që nuk përkojnë me frymën demokratike që ky subjekt ka përcjellë ndër vite në skenën politike. Gjithashtu, këto vendime kanë shkaktuar reagime nga zyrtarë të LDK-së.
Më shumë sesa vendime që burojnë nga një subjekt demokratik, ato reflektojnë “hakmarrje” ndaj atyre që ishin pro ndryshimit të udhëheqjes së LDK-së.
Në pikën një (1) të vendimeve zbatuese thuhet se të gjithë zyrtarët e LDK-së janë të obliguar t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet e partisë.
“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin”, thuhet në pikën një (1) të vendimit që LDK-ja ka marrë.
Ndërsa në pikën pesë (5) thuhet se moszbatimi i vendimeve të partisë ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në ndërmarrjen e masave.
Pra, përmes kësaj pike, LDK-ja e Abdixhikut po paralajmëron se do të marrë masa për të gjithë zyrtarët e kësaj partie nëse nuk i binden vullnetit të tij.
Ka qenë fillimisht Muhamet Hamiti nga LDK-ja ai që ka reaguar ndaj këtyre vendimeve, të cilat i ka cilësuar si absurde dhe aspak demokratike për nga përmbajtja.
Siç dihet, mandati i deputetit buron nga populli dhe nuk mund të ketë vullnet tjetër politik që t’ia diktojë deputetit se si të sillet politikisht.
Hamiti ka publikuar nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përkufizojnë dhe përcaktojnë mandatin e deputetit të Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj këtyre vendimeve të Kuvendit të fundit të LDK-së.
“Neni 70 [Mandati i Deputetëve]
- Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
- Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes. Neni 72 [Papajtueshmëria] Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.”
Këtij reagimi i është bashkangjitur edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janin Ymeri, e cila po ashtu ka cituar nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë:
“Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.
Ymeri gjithashtu ka shkruar: “Kosova, djep i demokracisë”.








