Kosova, partnere e rëndësishme e Gjermanisë, marrëdhëniet mund të jenë më të mira

Deputeti në Parlamentin e Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, ka thënë se Gjermania e sheh Kosovën si një partner të rëndësishëm në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

“Gjermania ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Është një nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, ndërsa në aspektin e sigurisë ka dhënë kontribut të madh përmes ushtarëve të KFOR-it. Kosova për Gjermaninë është një partner shumë i rëndësishëm, megjithëse mendoj se marrëdhëniet mund të jenë edhe më të mira”, ka thënë Balidemaj në një intervistë për Edicionin Special në Klan Kosova.

Ai ka theksuar se imazhi i Kosovës në Gjermani është pozitiv te ata që e njohin vendin.

“Ata që kanë pasur kontakt me njerëz nga Kosova e njohin vendin si një vend me energji pozitive. Është e rëndësishme që Kosova të promovojë më shumë vlerat dhe potencialin e saj, sepse kjo do t’i sillte përfitime edhe shoqërisë kosovare”, ka thënë ai.

Duke folur për diasporën, Balidemaj tha se mikpritja mbetet vlerë e rëndësishme, por ritmi i jetës ka ndryshuar.

“Njerëzit sot janë të angazhuar me punë dhe nuk e kanë kohën që kishin dikur, por lidhja me Kosovën mbetet e fortë”, ka përfunduar ai.