“Nisma për padi kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, OVL e UÇK reagon pas alarmit që dha Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka informacione se Gjykata Kushtetuese ka iniciativa për të hapur rastet e Tribunalit të Hagës, përkatësisht aktakuzën ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), duke shtuar se ‘’hapja e plagëve të vjetra është më e dhimbshme sesa hapja e një të reje’’.

Ndaj kësaj ka reaguar, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga ku janë hedhur poshtë përpjekjet për hapjen e proceseve të Hagës kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjë të cilën, OVL’ja e ka cilësuar manovra të revizionizmit politik, që synojnë ta shpallin kriminale një luftë të drejtë çlirimtare.

”Luftëtarët shqiptarë paguan çmimin që siguroi dinjitet, barazi dhe stabilitet. Plagët e vjetra nuk duhet të ngacmohen me qëllimin për të goditur vlerat e luftës apo për të destabilizuar rajonin”, thuhet mes tjerash nga OVL’ja, përcjell Gazeta Express.

Postimi:

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së hedh poshtë çdo përpjekje për hapjen e proceseve të Hagës kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Këto janë manovra të revizionizmit politik, që synojnë ta shpallin kriminale një luftë të drejtë çlirimtare dhe të minojnë themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

Luftëtarët shqiptarë paguan çmimin që siguroi dinjitet, barazi dhe stabilitet. Plagët e vjetra nuk duhet të ngacmohen me qëllimin për të goditur vlerat e luftës apo për të destabilizuar rajonin.

Qarqet shoviniste të Maqedonisë së Veriut nuk duhet të tentojnë shtrembërimin e historisë për hesapet e tyre politike.