Askush nuk po e shet futbollin

FIFA ka dalë në mbrojtje të planeve të saj të diskutueshme lidhur me të drejtat e Kupës së Botës, pasi propozimet kanë shkaktuar reagime të forta dhe kundërshtime nga federata të shumta të futbollit.

Pasi federatat evropiane shprehën unanimisht rezervat e tyre ndaj idesë për shitjen e të drejtave që lidhen me Kupën e Botës, qeveria e futbollit botëror publikoi një deklaratë zyrtare, duke theksuar se procesi i konsultimeve do të vazhdojë dhe se çdo vendim do të merret në mënyrë transparente.

“Ne respektojmë reagimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht dhe riafirmojmë angazhimin tonë për një proces konsultimi të hapur dhe demokratik. Do të vazhdojmë konsultimet për t’u siguruar që çdo federatë anëtare të ketë mundësinë të votojë mbi bazën e fakteve. Askush nuk po e shet futbollin. Kjo është diçka që FIFA nuk do ta konsideronte kurrë”, thuhet në reagimin e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.

Kundërshtimet nuk kanë ardhur vetëm nga Evropa. Edhe konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF) ka shprehur shqetësime serioze për propozimin, duke theksuar mungesën e një shqyrtimi dhe miratimi nga organet përkatëse drejtuese të FIFA-s.

Ndërkohë, presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), Sheikh Salman, deklaroi se një nismë e tillë nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen e të gjitha konfederatave kontinentale.

“Nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen e të gjitha konfederatave dhe aktualisht një mbështetje e tillë nuk ekziston”, është shprehur ai.

Planet e FIFA-s janë kritikuar gjithashtu nga Premier League, Federata Angleze e Futbollit (FA), figura politike dhe drejtues të tjerë të futbollit, të cilët kanë vënë në pikëpyetje drejtimin e këtij procesi.

Siç raportohet, federatat që dëshirojnë të kenë qasje në fondin fillestar prej 20 milionë dollarësh duhet të marrin një vendim deri më 19 shtator, datë që konsiderohet vendimtare për ecurinë e këtij projekti.