Nga Ivan Zazzaroni*
U zgjodh Mancini, tani të përpiqemi të krijojmë italianët (futbollistët dhe tifozët e rinj). A duam të fillojmë më në fund të flasim seriozisht për rinovimin, akademitë, shkollat e futbollit dhe për të rinjtë që duhen rritur për të garantuar një të ardhme për të gjithë lëvizjen futbollistike dhe kombëtaren? Le ta bëjmë këtë, duke lënë mënjanë, sa të jetë e mundur, llafet në rrjetet sociale, klishetë dhe të gjitha banalitetet që një temë e panjohur për shumicën vazhdon të përhapë.
Në një libër prej 180 faqesh kam trajtuar problemet e këtij sektori, duke i kushtuar vëmendjen e domosdoshme bazës. Duke u konsultuar me specialistë dhe drejtues, kam arritur në përfundime që prekin para së gjithash klubet sportive, viktima të një sistemi që pengon iniciativën dhe talentin.
Ka gjëra që mund dhe duhen bërë për të ulur kostot e menaxhimit të klubeve sportive, të cilat janë shumë të larta dhe, si pasojë, rëndojnë edhe mbi buxhetet familjare (regjistrimi, transporti dhe shpenzime të tjera), duke nisur nga tarifa e regjistrimit që kërkon Federata Italiane e Futbollitl 14-18 mijë euro në vit.
Për të marrë statusin “Elite”, klubet janë të detyruara të përballojnë edhe shpenzime të tjera: nga psikologu, që është i detyrueshëm, te sistemi “safe-guarding” (përgjegjës për mbrojtjen e të miturve), nga trajnerët me licencë te të diplomuarit në shkencat motorike. Një trajner, për të marrë licencën, shpenzon mijëra euro.
Një fushë sintetike e homologuar nga FIGC kushton mbi 500 mijë euro, të cilave iu shtohen edhe 15 mijë euro që duhen paguar në Ligë për homologimin dhe 8 mijë euro çdo 4 vite për rihomologimin. Cilat janë zgjidhjet për t’u mundësuar të gjithëve të luajnë futboll, të paktën në fazën e hyrjes, pa qenë të detyruar të shpenzojnë nga 500 deri në 1.000 euro në vit?
1. Kostot federale duhet të mbulohen nga klubet profesioniste. Akademitë e tyre duhet të nisin nga mosha 12-vjeçare dhe jo nga 6 vjeç siç ndodh aktualisht, ndërsa ekipet duhet të kenë maksimumi 22 lojtarë, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të luajnë, sepse ndeshja është momenti më i rëndësishëm i zhvillimit.
Ka klube që kanë në ekip 30 të rinj dhe të tjerë që nuk arrijnë të regjistrohen, sepse nuk kanë numrin minimal të lojtarëve. Nëse një djalë luan vetëm 15 minuta në muaj, është e qartë se humbet motivimin dhe pasionin, edhe sepse trajnerët me kontrata vjetore përdorin gjithmonë të njëjtët lojtarë. Gjithashtu duhet të bëhet i detyrueshëm aktivizimi i të gjithë, 18 lojtarëve të disponueshëm, në sektorët e të rinjve, të paktën deri në moshën 15-vjeçare.
2. Kurset për trajnerët duhet të paguhen nga federata dhe të jenë të hapura për të gjithë. Sistemi aktual i pikëve është bërë qesharak; ka trajnerë të shkëlqyer që nuk kanë luajtur kurrë në Serie A apo Serie B. Për ata që kanë të ardhura të ulëta duhet të ketë “falas” ose tarifa të reduktuara.
3. Një tjetër pikë kyçe është heqja e TVSH-së për shoqatat jofitimprurëse (ato e paguajnë, por nuk mund ta rimbursojnë) për blerjet, shërbimet dhe shpenzimet e tjera, si edhe heqja e taksës së mbetjeve.
4. Janë të nevojshme edhe korrigjime të tjera, si rritja e kompensimeve në rastet kur lojtarët kalojnë te klubet profesioniste dhe pagesa e tyre të bëhet menjëherë, jo vetëm në momentin e nënshkrimit të kontratës.
5. Gjithashtu duhet të rikthehemi te sistemi i dikurshëm i ndarjes së kampionateve sipas semestrave: semestri i dytë i një viti të kombinohet me semestrin e parë të vitit pasardhës, për të luftuar efektin e RAE (“Relative Age Effect”) dhe për t’u dhënë kohë të zhvillohen edhe fëmijëve që piqen më vonë.
Këto janë vetëm disa nga masat që duhen marrë për ta rikthyer futbollin në një të mirë të përbashkët, duke zgjeruar ndjeshëm bazën nga ku mund të dalin talentet. Genoa, vetëm si shembull, ka liruar nga ekipi “Primavera” lojtarë që kishin kaluar 10 vite në akademinë e saj për t’i zëvendësuar me të huaj që kishin kaluar vetëm një vit në një klub amator, në mënyrë që të mund të regjistroheshin më pas te një klub profesionist.
Ky rregull duhet të ndryshojë: nëse je një futbollist i huaj nën moshë, duhet të qëndrosh të paktën tri vite në një klub amator. Një rast tjetër: Atalanta ka 30 lojtarë në ekipin “Primavera” dhe 5 ose 6 të tjerë që zbresin nga ekipi U-23. Ka të rinj me talent që vijnë nga sektori i të rinjve, pasi kanë luajtur vetëm 5 ndeshje gjatë sezonit të kaluar.
Rruga dhe oratorët, për të cilët Ranieri ka folur shpesh në konferencat për shtyp, i përkasin tashmë një epoke të largët. Ata janë zëvendësuar nga shkollat e futbollit, akademitë, të cilat më në fund duhet të vlerësojnë veçantinë, prirjen dhe pasionin e secilit.
* Drejtor i “Corriere dello Sport”
The post Analiza / Mancini u zgjodh trajner, tani duhet të prodhojmë futbollistët italianë… appeared first on Telesport.








