Ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti, ka njoftuar se, me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, Inspektorati Qendror i Punës do të kalojë në inspektime plotësisht digjitale.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 shtator.
“Kjo do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren”, thotë Hoti.
Ai bën me dije se njëkohësisht, do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve, si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi merret pas disa incidenteve kohët e fundit, në vendet e punës. Më i freskëti është ai i të martës në Prishtinë, ku një i ri humbi jetën si pasojë e rënies së vinçit.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Nga 1 shtatori: Inspektime vetëm digjitale dhe mbikëqyrje me dronë
Me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, kam marrë vendim që, nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës të kalojë në inspektime plotësisht digjitale.
Kjo do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren.
Njëkohësisht, do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve, si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, do të iniciojmë forcimin e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që institucionet përgjegjëse të shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe mbikëqyrja të jetë sa më parandaluese, e jo vetëm reaguese.








