Reagon kompania ku punonte 26-vjeçari që humbi jetën nga rrëzimi i vinçit në Prishtinë

Kompania “Sigma Crane & Transport” Sh.p.k., me seli në Ferizaj, ku ishte i punësuar 26-vjeçari Ermal Sherifi, i cili humbi jetën pas rrëzimit të një vinçi në Prishtinë, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen e tij nga jeta.

Përmes një postimi në Facebook, kompania ka shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëpunëtorit të saj, duke i përcjellë ngushëllime familjes Sherifi.

“Në emër të familjes sonë, me dhimbje të thellë ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e rëndë të bashkëpunëtorit tonë, Ermal Sherifi”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Në mesazhin e saj, kompania ka lutur që i ndjeri të prehet në paqe, ndërsa familjes i ka uruar forcë për ta përballuar humbjen.

“Lutemi për shpirtin e tij të bardhë që Zoti ta mëshirojë në gradat më të larta të Xhehnetit. Familjes Sherifi ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe ua shtoftë durimin në këto momente të vështira”, thuhet në postim.

Ermal Sherifi humbi jetën të mërkurën si pasojë e rrëzimit të një vinçi në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ndërsa rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.