Një automjet i bardhë u fut mes turmës së pjesëmarrësve në Paradën e Krenarisë në Berlin, të shtunën rreth orës 22:00, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe lëndimin e të paktën 16 të tjerëve.
Sipas Policisë së Berlinit, automjeti, i përshkruar si një furgon i vogël ose SUV, u gjet i braktisur në zonën e Tiergartenit, ku dyshohet se u përplas me një pemë pas incidentit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Policia ka identifikuar si të dyshuar një 21-vjeçar, të quajtur Abdul B., i cili përshkruhet si truphollë, me flokë të zinj, i veshur me një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha. Sipas autoriteteve, ai është një person i njohur për policinë dhe lidhet me qarqe të spektrit islamist. Megjithatë, ai ende nuk është arrestuar.
Në deklaratën e policisë thuhet se një ose më shumë persona dyshohet se janë larguar nga automjeti pas përplasjes. Gjithashtu, autoritetet raportojnë se disa persona janë plagosur edhe me armë të ftohta, çka po hetohet si pjesë e të njëjtit incident.
Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, e cilësoi ngjarjen si “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe mendjehapur”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi ngjarjen, duke e quajtur “një akt të tmerrshëm”, dhe premtoi se autorët do të identifikohen, do të hetohen plotësisht dhe do të përballen me drejtësinë.
Hetimet mbi motivet dhe rrethanat e sulmit vijojnë.
Makina hyn në turmën e njerëzve në Berlin, nuk dihet numri i të lënduarve








