Policia e Kosovës shënon Ditën Memoriale të zyrtarëve të rënë në kryerje të detyrës

Policia e Kosovës organizon sot një varg aktivitetesh për shënimin e Ditës Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tyre për sigurinë dhe rendin në vend.

Aktivitetet nisin në orën 10:00 me homazhe shtetërore pranë Lapidarit të Policëve të rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Në vazhdim të agjendës, në orën 11:00 do të mbahen homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 11:15 delegacioni i Policisë së Kosovës do të vizitojë familjen e Bunjakut.

Më pas, në orën 12:15, do të zhvillohet një vizitë në familjen e Heroit Enver Zymeri në Vushtrri.

Aktivitetet përmbyllen në orën 13:30 me homazhe pranë lapidarit në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut.