Sekuestrohen mbi 5 mijë boksa cigare në Bërnjak

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në zonën kufitare të Bërnjakut, pas informatave për dyshime lidhur me kontrabandimin e mallrave.

Sipas Policisë, gjatë operacionit të ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, zyrtarët policorë kanë lokalizuar një automjet të tipit “Audi” me targa të huaja, i cili ishte i ndaluar dhe pa vozitës. Automjeti dyshohet se ishte përdorur për kontrabandim me mallra.

Gjatë kontrollit të një objekti dhe zonës përreth tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjithsej 5 mijë e 550 boksa cigare të llojeve të ndryshme. Po ashtu, në afërsi të objektit janë gjetur edhe 19 paketa cigaresh, të dyshuara si të kontrabanduara.

Lidhur me rastin, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit është ndaluar edhe një kamion me targa të huaja, i cili ishte në lëvizje dhe transportonte materiale metalike. Sipas policisë, drejtuesi i kamionit nuk posedonte dokumentacionin përkatës për këto materiale.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe dy automjetet për procedura të mëtejshme.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti i është kaluar për trajtim Doganës së Kosovës.