Vizita “e papritur” e Sorensenit, Kurti jep detaje të takimit

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen ka realizuar një vizitë të shpejtë në Kosovë pas situatës rreth kthimit të prokurorëve dhe gjykatësve të komunitetit serb.

Kurti, ka njoftuar se sot ka pritur në zyrën e tij të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, me të cilin ka diskutuar për procesin e dialogut, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe tema të tjera aktuale.

“Sot prita në zyrën time të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, me të cilin, mes tjerash, diskutuam për procesin që ai e ndërmjetëson, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe tema aktuale”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj barazisë së të gjithë qytetarëve.

“Republika e Kosovës, përveçse afirmon, është këmbëngulëse në zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në barazinë e qytetarëve të saj dhe në gjithpërfshirje”, është shprehur ai.

Kurti ka shtuar se institucionet e shtetit duhet të përfaqësojnë të gjitha komunitetet dhe të udhëhiqen nga profesionalizmi dhe integriteti.

“Të punësuarit në institucionet e Republikës janë dhe duhet të jenë nga të gjitha komunitetet, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit”, ka deklaruar ai.

Duke folur për situatën në veri, Kurti ka rikujtuar dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë katër vjet më parë, për të cilat tha se “kishin pikërisht synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik”.

Në fund, ai theksoi se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, ka përfunduar Kurti.