Gjashtë persona nga Kosova kanë mbetur të lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën magjistrale Shkup–Pikëkalimi Kufitar Bllacë e Poshtme në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së, në aksident janë përfshirë dy automjete me targa të Kosovës: një veturë “Kia”, e drejtuar nga K.C. (33-vjeç) nga Kosova, dhe një “Volkswagen Golf”, të cilin e drejtonte S.J. (61-vjeç), gjithashtu shtetas i Kosovës.
“Si pasojë e përplasjes, lëndime të rënda trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjeret e “Volkswagen Golf”-it, S.J. (54) dhe E.J. (20). Ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe dy pasagjerët e tjerë të kësaj veture, B.H. (23) dhe B.I. (35)”, ka njoftuar MPB-ja e RMV-së.
Të gjithë të lënduarit mësohet se janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe në Qendrën e Urgjencës pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Autoritetet maqedonase kanë njoftuar se, me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i veturës “Kia”, K.C., do të privohet nga liria pasi të përfundojë trajtimin në spital.
Ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Shkup ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.








