Me foltoren e Kuvendit të bllokuar nga deputetët e opozitës dhe me zhurma të krijuara nga goditjet e tavolinave, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, hapi procedurën e votimeve pas miratimit të kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për kalimin direkt në votim të çështjeve të rendit të ditës, për shkak të pamundësisë së zhvillimit të diskutimeve.
Opozita vijoi të mbante të bllokuar foltoren, ndërsa mazhoranca kaloi në votim disa prej pikave të rendit të ditës. Me votat e Partisë Socialiste u miratuan rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK-un, si dhe aktet normative për ndryshimet në buxhetin e vitit 2026 dhe financimin e pjesshëm të aktivitetit kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare, ku përfshihet edhe koncerti i reperit amerikan Kanye West.
Gjatë seancës, deputetët e opozitës vijuan protestën e tyre brenda sallës, ndërsa dëgjoheshin duke thirrur “dorëheqje” dhe “hajdut”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi nga seanca plenare kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për shkak se hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama.








