Zjarret në deponinë e mbeturinave, FSK-ja intervenon në Sverkë të Pejës

Forca e Sigurisë se Kosovës është angazhuar për të ndërhyrë në fshatin Sverkë të Pejës, pas zjarreve në deponinë e mbeturinave.

Kjo frocë ka njoftuar se një veprim të tillë e ka ndërmarrë pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me shpërthimin dhe përhapjen e zjarrit me përmasa të mëdha.

“Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë. Operacioni ka filluar menjëherë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike mjedisore dhe evitimin e efekteve zingjirore ndaj shëndetit publik të qytetarëve.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, njësitët e FSK-së janë duke punuar në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme.

“FSK mbetet e përkushtuar që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës në përputhje me detyrat dhe misionin e saj.”, thuhet në njoftim.