Pas BE-së dhe Gjermanisë, reagon edhe Italia për rrënimin e vilave në Ujman

Gjatë ditës së djeshme, një sërë ekskavatorësh, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Për këto veprime, kanë reaguar BE-ja dhe Gjermania, e tash edhe Italia.

Përmes ambasadës së saj në Kosovës, Italia është shprehur e shqetësuar për veprimet e institucioneve të Kosovës.

“Ambasada e Italisë në Prishtinë i bashkohet BE-së në shprehjen e brengës për rrënimin e shtëpive në Liqenin e Ujmanit”, ka thënë Ambasada italiane në Facebook.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.