Polici i NJRSh-së, Shaban Hajdari, është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm pranë varrezave të fshatit Morinë, në Kukës.
Vdekja tragjike e 35-vjeçarit ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët e tij. Shoku i tij, Gzim Kastrati, e ka kujtuar Hajdarin si një njeri me vlera, të përkushtuar dhe profesional në shërbim të Republikës së Kosovës.
Në një postim prekës, Kastrati ka shkruar:
“Lamtumirë, shoku ynë i dashur, Shaban Hajdari. Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Humbëm një shok të mirë të shkollës, një njeri me vlera dhe një zyrtar policor të përkushtuar, i cili punoi me ndershmëri dhe profesionalizëm në shërbim të Republikës së Kosovës. Kontributi yt i palodhshëm për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve do të mbetet gjithmonë i vlerësuar dhe i paharruar”.
Kastrati ngushëlloi familjen Hajdari si dhe kolegët e të ndjerit të Policisë së Kosovës.
“U prehsh në paqe, Shaban! Kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në zemrat tona”.








