IHMK lëshon paralajmërim, stuhi të fuqishme priten të mërkurën në gjithë Kosovën

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Kosovës, duke njoftuar se gjatë ditës së nesërme priten stuhi të fuqishme me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.

Sipas njoftimit të IHMK-së, paralajmërimi do të jetë në fuqi nga ora 00:00 deri në 23:59 (GMT+2).

Instituti bën të ditur se zhvillimet e fuqishme konvektive mund të shkaktojnë rreziqe të konsiderueshme për qytetarët dhe infrastrukturën.

Ndër pasojat e mundshme përmenden goditjet e rrufesë me rrezik për njerëzit dhe kafshët, dëmtimet në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike, pengesat në telekomunikacion, përmbytjet e shpejta lokale në zonat me reshje intensive, si dhe dëmtimet në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore nga breshëri dhe erërat e forta.

Po ashtu, IHMK paralajmëron se shkarkimet atmosferike mund të rrisin edhe rrezikun për shpërthimin e zjarreve.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.