E rëndë: 24-vjeçarja humb jetën në aksident, ishte vajza e një doktori të QKUK-së

Një ngjarje tragjike ka tronditur Kosovën mëngjesin e të martës.

Një vajzë 24-vjeçare humbi jetën në një vetaksident të rëndë në magjistralen Pejë-Prishtinë, pasi vetura në të cilën ajo ndodhej u përplas me anësoret pranë rrugës në fshatin Komoran, Drenas.

Viktima mësohet se ishte Rea Raka, vajza e doktorit të Qendrës Stomatologjike Klinike të Kosovës (QSKUK), Petrit Raka.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës.

Tre persona të tjerë, të cilët ndodheshin në veturën e vetaksidentuar, pësuan lëndime trupore, tha policia.

“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën”, tha Policia në një njoftim.

Policia tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.