Shtatë vjet burg për vjedhjen e vitit 2015 në argjendari në Prizren, Gjykata urdhëron kompensimin e 195 mijë eurove

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit me inicialet Sh.H., duke e dënuar me shtatë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për dy vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari është shpallur fajtor për vjedhjen e kryer më 12 janar 2025 në një argjendari në Prizren, ku së bashku me një shtetas bullgar, të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, kanë hyrë me forcë në lokal dhe kanë marrë një sasi të madhe ari, argjendi dhe sende të tjera me vlerë.

“Pas hapjes së kasafortës, nga e njëjta arrijnë të marrin 3 kilogramë ari 14 karatësh, një monedhë pesë lira, dy monedha lira, hallka dore, një kilogram argjend me pastërti 925 dhe një peshore, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shumë prej 195 mijë eurove”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Po atë natë, sipas aktgjykimit, i akuzuari kishte tentuar të kryente edhe një vjedhje tjetër në një argjendari në Prizren, por nuk kishte arritur ta hapte kasafortën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq, më 23 janar 2025, ai kishte hyrë me forcë në një objekt tjetër, nga ku kishte marrë një modem interneti, një DVR dhe kishte dëmtuar sistemin e kamerave të sigurisë.

Pas zhvillimit të nëntë seancave gjyqësore, Gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin.

“Gjykata e gjykon me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vitesh, si dhe dënim unik me gjobë në shumën prej 2 mijë euro”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu, Gjykata ka urdhëruar që i dënuari t’ia kompensojë të dëmtuarit shumën prej 195 mijë eurosh.

“Gjykata ka urdhëruar të akuzuarin të paguajë një shumë të barasvlershme me dëmin prej 195 mijë eurosh ose të konfiskohen pasuritë e tij me vlerë të barasvlershme”, thuhet në njoftim.

Për realizimin e këtij kompensimi, Gjykata ka urdhëruar shitjen në ankand publik të një apartamenti dhe katër automjeteve të sekuestruara, përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, ndërsa masa e paraburgimit ndaj të dënuarit është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimi.