Murati: Kosova po mbetet prapa, rrezikohen pozita ndërkombëtare dhe zhvillimi

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, ka paralajmëruar se vazhdimi i krizës politike, zgjedhjet e njëpasnjëshme dhe mungesa e institucioneve me mandat të plotë rrezikojnë ta dëmtojnë edhe më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe të thellojnë ngecjen në proceset integruese dhe zhvillimore.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Murati tha se Kosova tashmë prej vitesh po pëson dëme në raportet me aleatët ndërkombëtarë, derisa paralajmëroi se vazhdimi i status quo-së politike mund ta lërë vendin edhe më prapa në raport me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Kosova në arenën ndërkombëtare mund të them ka vite që është e dëmtuar. Ne kemi një kryeministër i cili nuk ka shkelë asnjëherë në, jo në Shtëpinë e Bardhë, po në Departamentin e Shtetit. Për mu kjo ka realizu që gjashtë vite asnjë vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi, pra qeveri e cila raportet me miqtë, me aleatët i ka në nivelin më të ulët të mundshëm. Dhe një vazhdimësi e tillë këto do t’i dëmtojë. Edhe nëse nuk i dëmton, edhe nëse i lë kështu siç janë, janë mjaftueshëm të dëmshme për pozitën tonë, si shtet i pavarur, për pozitën e Kosovës. Ajo që po e them unë, po e përmend këtë status quo-në që ne po mbesim në një vend, nënkupton që kur ne mbesim në një vend dhe të tjerët ecin, ne shkojmë prapa. Kjo është ajo e cila është e dëmshme dhe askush nuk e trajton seriozisht”, tha ai.

Murati vlerësoi se raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mbeten problematike dhe se dialogu me Serbinë vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë që ndikon në këtë situatë.

“Këto raporte në bashkësinë ndërkombëtare ne i kemi jashtëzakonisht problematike, për shkak se ne e dimë që një pjesë e madhe e këtij raporti varet nga dialogu me Serbinë. Ne po shohim që tash edhe Serbia është e bllokuar, për shkak të situatës së brendshme, edhe për shkak të raporteve me Kosovën. Ne tash jemi dy shtete, dy vende të cilat jemi, si të themi, peng i njëra-tjetrës dhe këto njerëzit e kemi thënë sa e sa herë, por është e vështirë që ta bindësh edhe klasën politike e cila realisht mbijeton edhe zoti Kurti mbijeton mbi këtë konflikt”, tha ai.

Sipas tij, politika në Kosovë vazhdon të dominohet nga raportet me Serbinë, duke lënë në plan të dytë çështjet ekonomike, sociale dhe integruese të vendit.

“Pra, ne kemi fatkeqësisht një klasë politike, tërësisht, të tërësishme, në krye me kryeministrin, që mbijeton, fiton, me Serbinë. Ne e kemi jetike heqjen e Serbisë prej tryezës së jetës sonë. Atë e kemi komshi dhe nuk kemi çfarë ne të bëjmë me të, por ta heqim si problem, sepse po na pengon në zhvillimet e tjera. Në integrimet ekonomike, në integrimet ndërkombëtare, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, në zhvillimet ekonomike. Ne nuk mund të merremi me çështjet më jetike të politikave sociale, ekonomike, arsimore, shëndetësore, për shkak të Serbisë”, tha ai, për Ekonomia Online.

Murati kritikoi edhe qasjen e Qeverisë dhe opozitës ndaj politikave ekonomike dhe sociale, duke thënë se mungon debati i mirëfilltë politik.

“Ne kemi një kryeministër që shpërndan para dhe kemi një opozitë që s’guxon ta kundërshtojë. Sepse frikësohet që dikush po e shan pse po i shpërndan paratë publike. Pra kemi një kryeministër që bën korrupsion të jashtëzakonshëm duke shpërnda para të marrë vota për to, dhe një opozitë që s’ka asnjë qëndrim për këtë çështje. Nuk është qëndrim një reagim në Facebook. Pra, është një gjendje e problematikës, jo vetëm për shkak të pushtetit, por edhe për shkak të mënyrës se si sillet fatkeqësisht opozita, që çdo gjë e mat me gram të votave dhe jo të politikave”, tha ai.

Ish-ministri i Diasporës tha se Kosova prej vitesh nuk ka arritur të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, duke e lidhur këtë me zhvillimet politike dhe me raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Natyrisht, ajo ka ndiku sepse ne ka vite e vite që nuk jemi anëtarësu në asnjë organizatë serioze. Ne jemi pranë dyerve të Këshillit të Evropës dhe nuk jemi anëtarësu, sepse e dimë një kusht, sado që është i padrejtë, është kusht që duhet dërgohet marrëveshja për asociacionin, ai drafti që na kanë ofru franko-gjerman, në Gjykatën Kushtetuese. Unë jam kundër asociacionit, por ky është kushti të cilin ne e kemi. Ne nuk jemi anëtarësu në asnjë organizatë”, tha ai.

Ai përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, duke thënë se procesi ka mbetur pa trajtim për shkak të zhvillimeve politike dhe problemeve në raportet me Bashkimin Evropian.

“Ne kemi dërgu një aplikim në dhjetor të vitit 2022 për vend kandidat në Bashkimin Evropian, ajo nuk është trajtu asnjëherë. Nuk është trajtu për shkak zhvillimeve politike, për shkak këtij ngërçi politik në raportet që i kemi me Bashkimin Evropian, edhe për shkak të faktit që 5 shtete s’na njohin. E cila duhet të adresohet. Dihet adresimi asht që duhet t’i zgjidhim problemet me Serbinë, së paku ne duhet të kallëzojmë vullnet të madh politik që po dëshirojmë t’i zgjidhim, në asnjë moment të mos dërgojmë mesazh që ne jemi problemi. E viteve të fundit, mesazhi po shkon që edhe ne jemi problemi”, tha ai.