Në ceremoninë e 20-vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (AKP), mes të ftuarve ishte edhe një emër që aktualisht akuzohet nga Prokuroria për korrupsion.
Faruk Mujka, kryeshef i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci” – i punësuar në këtë pozitë nga ndërhyrja e pushtetit të Vetëvendosjes – ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar për përvjetorin e institucionit që ka për mision luftimin e korrupsionit.
Mujka akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë”.
Një paradoks i llojit të vetë: një institucion që ka për mision luftimin e korrupsionit organizon përvjetorin e tij, ndërsa aty merr pjesë një zyrtar që po përballet me akuza për vepra të kësaj natyre.
Sipas Prokurorisë, Mujka, së bashku me Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, dyshohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.
Por, pavarësisht se i akuzuar, kryeshefi i “Ibër Lepencit” u pa në mesin e pjesëmarrësve në një ngjarje ku u fol për transparencën, integritetin dhe luftën kundër korrupsionit. Madje, qëndronte në rreshtin e dytë, menjëherë pas Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.








