Policia i reagon Eparkisë Rashkë-Prizren: Pretendime të pabazuara, krijojnë perceptim të rremë

Policia e Kosovës ka hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave “Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS)”.

Eparkia Rashkë-Prizren, në reagimin e saj të publikuar të premten, ka akuzuar institucionet e Kosovës për diskriminim sistematik ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke pretenduar se institucionet e Kosovës po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi komunitetin serb.

Ndërkaq, përmes një reagimi dërguar mediave, PK thotë se pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit.

“Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb, të cilët ushtrojnë detyrën mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Policinë, Kodit të Etikës Policore dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit”.

“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”.

“Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, u tha ndër të tjera në reagimin e Policisë.

Më tej, PK-ja thotë se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Çdo vit hartohen dhe zbatohen plane operative të detajuara për sigurimin e këtyre aktiviteteve, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante”.

“Ky bashkëpunim shumëvjeçar përbën dëshmi konkrete të përkushtimit institucional të Policisë së Kosovës për garantimin e ushtrimit të lirë të besimit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve fetare”.

“Edhe ceremonia e 28 qershorit 2026 në Gazimestan është zhvilluar mbi bazën e një plani të posaçëm operacional të hartuar nga Policia e Kosovës. Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës. Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik.

Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç.