Kryetari i Hanit të Elezit: Janë 110 raste me simptoma të gastroenteritit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se është duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar pas paraqitjes së rasteve me simptoma të gastroenteritit në këtë komunë.

Sipas Ballazhit, nga 13 korriku deri më datën 15, në QKMF janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa vetëm pesë prej tyre janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë administruar rreth 300 terapi venoze për pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke theksuar se QKMF-ja ka terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.

Kryetari i Hanit të Elezit njoftoi se janë marrë mostrat përkatëse dhe janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa institucionet janë në pritje të rezultateve zyrtare që do të sqarojnë shkakun e paraqitjes së rasteve.

Ballazhi u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë spekulimeve apo informatave të pakonfirmuara, duke theksuar se çdo informacion i ri do të publikohet nga institucionet përgjegjëse.

Ai gjithashtu apeloi që qytetarët të respektojnë rregullat bazë të higjienës, të kenë kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta dhe, në rast të shfaqjes së simptomave, të paraqiten menjëherë në QKMF për ndihmë mjekësore.