Lionel Scaloni u paraqit në konferencën për shtyp me të njëjtën qetësi që e karakterizon prej kur mori drejtimin e Argjentinës. Nuk ka rëndësi që përpara ka një gjysmëfinale Botërori ndaj Anglisë. Mes emocioneve të forta dhe ngarkesës historike që e tejkalon futbollin, trajneri argjentinas gjeti ekuilibrin e duhur.
Ai kujtoi Argjentinë-Angli të Botërorit 1986 në Meksikë, foli me respekt të madh për Luftën e Malvinave dhe pasojat e saj tragjike, që vazhdojnë të lënë plagë edhe sot. Megjithatë, gjithçka e trajtoi me shumë maturi.
Scaloni u ndal te “Dora e Zotit” dhe “Goli i Shekullit”, duke thënë: “Të gjithë e kujtojmë atë ndeshje dhe golin e dytë të Diegos. Ishte diçka e mrekullueshme. Ishte kundër Anglisë, por edhe po të kishte qenë kundër një rivali tjetër do të kishte qenë po aq i bukur. E kujtojmë në mënyrën më të mirë, sidomos falë rrëfimeve emocionuese të asaj kohe”.
Më pas foli për aspektin jashtë futbollit: “Në fund të fundit, është një ndeshje futbolli. Çfarë mund të bëjmë ne për atë që ndodhi vite më parë? Është e kotë. Është pjesë e historisë sonë dhe shumë e dhimbshme, por nuk mund të them se kjo është më shumë se një ndeshje. Nuk dua ta rikthej një plagë kaq të rëndë. Sigurisht që kemi kujtesë dhe e mbajmë mend. Ishte një periudhë shumë e trishtë e historisë sonë. T’i përziejmë gjërat do të ishte çmenduri. Edhe sot në botë po zhvillohen luftëra dhe ne i dënojmë ato. Prandaj nuk mund të them se kjo është më shumë se një ndeshje futbolli. Mos t’i ngatërrojmë gjërat. Nëse e bëjmë, gabojmë. Ky është futboll”.
Scaloni vazhdoi: “Është një ndeshje futbolli me gjithë domethënien që ka, sepse Anglia është një kundërshtar i madh. Nuk jam këtu për t’i hedhur benzinë zjarrit. Nuk është e përshtatshme. Lojtarët e mi e dinë se kjo është një gjysmëfinale Botërori dhe kaq mjafton. Nuk duhet të harrojmë të luajmë futboll”.

Trajneri foli edhe për Spanjën, finalisten e parë: “Spanja fitoi me meritë, por edhe ajo vuajti për të eliminuar Portugalinë dhe Belgjikën. Është shumë e vështirë të arrish në finalen e një Botërori pa vuajtur. Për ta fituar Botërorin duhet të dish të reagosh pas vështirësive. Vuajtja nuk është vetëm pjesë e ADN-së sonë. Që kemi mbërritur deri në gjysmëfinale do të thotë se kemi bërë shumë gjëra mirë”.
Scaloni pati edhe fjalë të ngrohta për mikun e tij, Luis De la Fuente: “Jam shumë i lumtur për të. E meriton plotësisht. Është një njeri i mrekullueshëm dhe më ka ndihmuar gjithmonë. Ajo që tregon Spanja e tij është ajo që të gjithë trajnerët do të donin. Nëse eliminojmë Anglinë, mund të përballemi në finale. Shpresoj. Luis e meriton gjithçka që po i ndodh”.
Ai shtoi me humor: “Varësisht si do të shkojë ndeshja, do ta telefonoj ose jo Luis. Nëse luajmë kundër njëri-tjetrit, jo. Nëse ne eliminohemi, do ta telefonoj dhe do të përpiqem ta ndihmoj me përvojën tonë. Por le të mendojmë pozitivisht dhe të shpresojmë se telefonata do të bëhet vetëm pas finales”.
Duke folur për gjendjen e skuadrës, Scaloni tha: “Jam mirë, i emocionuar dhe jashtëzakonisht mirënjohës ndaj lojtarëve që na kanë çuar në një tjetër gjysmëfinale Botërori. Duhet ta vlerësojmë këtë arritje, edhe pse synimi ynë është finalja. Kemi bërë kaq shumë gjëra të mira sa tani na duket sikur nuk na mjafton. Ndaj Anglisë do të japim pikën e fundit të djersës për ta arritur finalen”.
Ai sqaroi edhe çështjen e fanellës blu: “Nuk kam kërkuar unë të luajmë me fanellën blu. Ndoshta është traditë, nuk e di”.
Sa i përket formacionit, trajneri la gjithçka të hapur: “Mund të bëjmë ndonjë ndryshim për ta vënë në vështirësi kundërshtarin dhe për t’u mbrojtur nga pikat e forta të tij. Lojtarët janë rikuperuar mirë. Do të luajnë ata që janë më të gatshëm, jo ata që kanë fituar më shumë në të kaluarën”.

Për mundësinë e lënies jashtë të ndonjë emri të madh, ai u shpreh: “Nuk e kuptoj pse dikush nuk mund të mbetet në stol. Ekipi është gjithmonë mbi gjithçka. Vendimet merren sipas formës së momentit. Askush nuk duhet të luajë në inferioritet fizik”.
Në fund, Scaloni tha: “Një muaj e gjysmë më parë do ta kisha firmosur pa hezitim një vend në gjysmëfinale. Nuk ka rëndësi nëse jemi të lodhur apo jo. Jemi shumë të lumtur dhe duam të arrijmë finalen”.
Ai vlerësoi edhe Anglinë: “Harry Kane dhe Jude Bellingham janë lojtarë të mëdhenj. Shpresoj t’i neutralizojmë”.
Duke shpjeguar suksesin e Argjentinës, Scaloni tha: “Kemi arritur deri këtu sepse luajmë futboll të mirë, kemi lojtarë cilësorë dhe një kulturë që nuk dorëzohet kurrë. Për të mbërritur deri këtu duhet të kapërcesh gjithmonë vështirësi”.
Në fund, ai u gëzua që tifozët dolën të festonin kualifikimin në gjysmëfinale dhe iu dërgoi një mesazh: “Shijojeni këtë moment. Ne do të japim gjithçka deri në sekondën e fundit”.
The post Scaloni e sheh si “luftë” ndaj Anglisë, por brenda fushës: “Nuk jam këtu për t’i hedhur benzinë zjarrit” appeared first on Telesport.








