E akuzuara për vepra penale i uron punë të mbarë kryeprokurorit të ri

Albulena Haxhiu, një ish e akuzuar nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale, ka përgëzuar zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të shtetit pas një periudhe prej më shumë se katër vjet me ushtrues detyre.

Haxhiu, tashmë në rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes, ka shpallur të martën dekretin për zgjedhjen e Zejnulla Gashit në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Ish-ministrja e drejtësisë i ka uruar Gashit suksese në detyrën e re.

“I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, thuhet në postimin e Haxhiut në Facebook.

Vetëm 10 vjet më parë, Haxhiu akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e veprave penale.

Ajo ishte akuzuar nga Prokuroria për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza e Prokurorisë ndaj Haxhiut ishte ngritur në vitin 2016, ndërsa në mars të këtij viti gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të veprës penale.