Zejnullah Gashi kryeprokuror i ri, vjen reagimi i parë nga Këshilli Prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka mirëpritur vendimin e u.d. presidentes Albulena Haxhiu për dekretimin në detyrë të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Zejnullah Gashi.

Në një njoftim për media të martën, KPK ka njoftuar se e ka pranuar dekretin e u.d. presidentes për kryeprokurorin e ri.

“Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj, znj. Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot z. Zejnullah Gashi në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke përmbyllur procedurën kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, tha KPK në njoftim.

“Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit vjen pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e kishte nominuar z. Zejnullah Gashi për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit”, thuhet në njoftim.

“Kryeprokurori i sapodekretuar do të udhëheqë institucionin e Prokurorit të Shtetit për një mandat shtatë (7) vjeçar, duke marrë përgjegjësinë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, si dhe garantimin e ushtrimit të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të funksionit prokurorial, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, tha KPK-ja.

Në njoftim, KPK i uroi Gashit suksese në ushtrimin e detyrës së re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës i uron z. Zejnullah Gashi suksese në ushtrimin e mandatit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur besimin se, përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit profesional, do të vazhdojë fuqizimi i integritetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial”.