Doruntina Meha: Ky pushtet nuk ka miq, ka vetëm radhë

Juristja ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit në Kosovë, duke vlerësuar se gjatë viteve të fundit është krijuar një klimë ku goditja e kundërshtarëve dhe duartrokitja e padrejtësive po bëhen normale. Përmes një shkrimi publik, ajo paralajmëron se cenimi i profesionistëve dhe institucioneve të drejtësisë rrezikon themelet e shtetit ligjor dhe liritë e qytetarëve.

“Kur erdhën për socialistët, unë nuk fola, sepse nuk isha socialist. Kur erdhën për sindikalistët, unë nuk fola, sepse nuk isha sindikalist. Kur erdhën për hebrenjtë, unë nuk fola, sepse nuk isha hebre. Kur erdhën për mua, nuk kishte mbetur askush që të fliste për mua.”

Këto fjalë të pastorit gjerman Martin Niemöller më bien në mend sa herë që shoh dikë të goditur nga makineria e pushtetit. Nuk më shqetëson kush është viktima e radhës. Më shqetëson fakti që në Kosovë po bëhet normale të duartrokitet sa herë pushteti vendos ta bëjë dikë shënjestër. Në momentin kur padrejtësia fillon të festohet, ajo nuk mbetet më problem i viktimës. Bëhet problem i shoqërisë.

Prej gjashtë vitesh, që kur Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje morën timonin e shtetit, mënyra e ushtrimit të pushtetit po merr tipare gjithnjë e më autoritare. Modeli i tyre operativ është i thjeshtë, por makabër: zgjidhet një shënjestër, lëshohet propaganda, ekzekutohet goditja dhe menjëherë pas saj shfaqet turma e votuesve të verbër dhe servilëve të pushtetit që duartrokasin me një egërsi histerike: “Mirë ia bënë! Bile pak e kanë!”

Por, përpara se të thyeni duart duke duartrokitur, a keni ndaluar qoftë edhe një sekondë të vetme të mendoni se çfarë po festoni? Po festoni rrënimin e shtetit të së drejtës. Po festoni ndërtimin e një skele ku nesër mund të varet liria juaj.
Nëse ia lejojmë vetes kujtesën përtej propagandës ditore, gjithçka nisi me spastrimin e egër dhe sistematik të institucioneve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore. Nuk u mjaftuan me ndryshimin e pozitave të larta menaxheriale, gjë që deri diku ndodh me ndryshimin e qeverive. Goditjen më tinëzare dhe më të rrezikshme ia dhanë shtyllës kurrizore të administratës: zyrave ligjore dhe zyrtarëve ligjorë profesionalë.

Nëpër ministri e agjenci u ushtrua një presion i padurueshëm psikologjik dhe institucional mbi profesionistët e së drejtës. Pse? Sepse ata bënë rezistencë. Sepse refuzuan të vendosnin nënshkrimet e tyre mbi dokumente, kontrata dhe vendime që i konsideronin në kundërshtim flagrant me ligjin. Ata që nuk u thyen dhe nuk u bënë pjesë e paligjshmërisë, u larguan, u degraduan ose u detyruan të dorëhiqen nën dhunë administrative.

Dhe ku jemi sot, disa vite pas këtij spastrimi? Ata njerëz shumica ndoqën rrugën ligjore, ashtu siç i ka hije profesionistëve. Gjykatat dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës po ua japin të drejtën një nga një. Pikërisht këtu duhet të zgjohen ata që sot brohorasin në rrjetet sociale. Këto vendime nënkuptojnë dëmshpërblime milionëshe për vitet e humbura pa punë, për dëmin moral, për prishjen e karrierës dhe për dëmin material. E dini nga do të dalin këto miliona? Nga xhepat tanë. Nga taksat e mia, të tuat dhe të çdo qytetari të këtij vendi. Ju duartrokisni vendime që më pas rrëzohen në gjykatë, ndërsa faturën e inateve dhe paaftësisë ligjore të pushtetit e paguajmë të gjithë.

Kjo mendësi nuk u ndal te zyrtarët e administratës. Ajo u shtri kudo ku pushteti nuk kishte kontroll absolut. U goditën përmbaruesit privatë dhe iu morën licencat në mënyrë arbitrare vetëm sepse po zbatonin vendime të formës së prerë që nuk i pëlqenin pushtetit. Sot ata po ndjekin rrugën ligjore. Licencat do t`u kthehen, por bashkë me to po vijnë edhe dëmshpërblime milionëshe që shteti është i detyruar t’i paguajë për bllokimin e jashtëligjshëm të punës së tyre.

Kur pushteti e kuptoi se nuk mund ta kontrollonte plotësisht narrativën, u turr mbi dy shtyllat kryesore të një shoqërie të lirë: mediat dhe biznesin privat. Tentativa për mbylljen e Klan Kosovës ishte akti më i guximshëm i disiplinimit të mediave. Tentuan ta mbyllnin televizionin më të madh në vend me pretekste teknike e qesharake, vetëm për t’u dërguar një mesazh të gjitha mediave të tjera: “Nëse na kritikoni, jua mbyllim biznesin.” Për fat të mirë, gjykatat vepruan shpejt dhe e anuluan atë vendim, por rasti vazhdon dhe shteti mund të përballet me pasoja financiare për dëmtimin e reputacionit të kompanisë.
Kur e panë se nuk i mbyllnin dot mediat me dekret, ndryshuan strategji. Përmes Komisionit të Pavarur të Mediave filluan të shqiptojnë gjoba financiare. Qëllimi nuk ishte më mbyllja direkte, por gjunjëzimi ekonomik. Dëshira e tyre është që mediat të falimentojnë ose të detyrohen të censurizojnë vetveten për të mbijetuar.

Klima e të bërit biznes në Kosovë, veçanërisht për prodhuesit vendorë, është rënduar ndjeshëm. Në vend që shteti të jetë partner i sipërmarrjes, ai gjithnjë e më shpesh shfaqet si kërcënim për të. Kontrollet dhe inspektimet janë të domosdoshme kur bazohen në ligj, por jo kur shoqërohen me propagandë politike, linçim publik dhe paragjykime të shpallura ende pa përfunduar procedurat zyrtare. Në një shtet të së drejtës, fillimisht provohet shkelja e më pas nxirren përgjegjësitë, jo e kundërta. Kjo klimë pasigurie juridike dhe presioni institucional nuk po dekurajon vetëm investitorët e huaj; po i shtyn edhe bizneset vendore ta zhvendosin kapitalin dhe investimet drejt Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar atë që në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rrallë: sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë.

Në një shtet të së drejtës, institucionet nuk mund të kthehen në mjete të inateve personale të një kryeministri apo ministri. Kosova nuk bëhet më demokratike, më e lirë apo më e begatë kur pushteti godet këdo që i zë rrugën ose refuzon të përkulet. Përkundrazi, shndërrohet në një shoqëri më autoritare, më të izoluar dhe me një pasiguri juridike që tremb investitorët dhe largon profesionistët.

Ky pushtet nuk ka miq. Nuk ka aleatë afatgjatë dhe nuk njeh besnikëri. Njeh vetëm interesa. Njeh vetëm instrumente. Ka vetëm njerëz që i shfrytëzon për të ushqyer egon, propagandën dhe pushtetin e vet, derisa t’u mbarojë afati i përdorimit ose derisa të kenë guximin të thonë “jo”. Në atë moment, nuk ka rëndësi sa besnikë keni qenë, sa shumë e keni mbrojtur apo sa fort keni duartrokitur. Në çastin që nuk i duhesh më, ky pushtet të fshin nga loja pa asnjë mëshirë dhe pa asnjë pendesë.

Prandaj, kur sot heshtni, ose edhe më keq, kur duartrokisni në rrjetet sociale sa herë goditet një gazetar, një zyrtar, një përmbarues, një media apo një biznes, mos mendoni se po mbroni shtetin. Jo. Ju vetëm po ushqeni një bishë që nesër do të kërkojë edhe më shumë mish. Po normalizoni frikësimin. Po normalizoni padrejtësinë. Po i jepni pushtetit mesazhin më të rrezikshëm që mund të marrë një pushtet: se është në rregull të shkelet kushdo që nuk mendon si ai.
Prandaj, mendoni mirë para se herën tjetër të shkruani: “Mirë ua bënë!” Sepse kur kësaj makinerie t’i mbarojnë armiqtë e jashtëm, ajo nuk do të ndalet. Do të fillojë të gllabërojë njerëzit e vet për të mbajtur gjallë etjen për pushtet.
Po, edhe ty, servil i pushtetit, po të flas.

Mos u ndje i sigurt në prehrin e shefit. Mos e ngatërro afërsinë me pushtetin me imunitetin. Mos e ngatërro përdorimin me besimin. Historia e çdo pushteti autoritar dëshmon të njëjtën gjë: të parët që flaken kur makineria fillon të konsumojë vetveten, janë pikërisht ata që deri dje brohorisnin më fort se të gjithë.
Sot po duartroket për tjetrin. Por mbaje mend këtë. Pushteti nuk fal, vetëm ta shtyn radhën.