Aktakuzë ndaj gjashtë ‘dilerëve’ në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Ndaj të pandehurit A.K. është ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, S.K. dyshohet se më 29 janar 2026, në Suharekë, ka poseduar pa autorizim dhe me qëllim të shitjes rreth 26.6 gramë marihuanë, të ndarë në 30 qese, si dhe mbetje të kësaj substance. Ekspertiza forenzike ka konfirmuar se substanca e sekuestruar përmbante kanabis (THC).

Ndërkaq, A.K. dyshohet se gjatë periudhës nga shtatori 2025 deri më 29 janar 2026 ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në Suharekë. Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar rreth 465 gramë marihuanë, rreth 3.3 gramë kokainë, një substancë të lëngët të dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder dhe 2,200 euro para të gatshme. Ekspertiza e Agjencisë Kosovare për Forenzikë ka konfirmuar se mostrat përmbanin kanabis dhe kokainë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në lokalin e A.K. është gjetur një pistoletë e tipit M57, një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, të cilat dyshohet se mbaheshin pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për Armët.

F.F. akuzohet se në të njëjtën periudhë ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një peshore digjitale dhe dy automjete, të cilat sipas aktakuzës janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Ndërkohë, L.A., A.F. dhe D.G. dyshohen se, duke vepruar në bashkëkryerje, nga shtatori deri në nëntor 2025 kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në lokacione të ndryshme në Suharekë dhe më gjerë. Sipas aktakuzës, në një rast është siguruar një sasi prej mbi 300 gramësh kokainë, e cila ishte hedhur gjatë largimit me automjet nga vendi i ngjarjes dhe më pas ishte sekuestruar nga autoritetet.

“Lidhur me rastin, prokurori i çështjes ka propozuar konfiskimin e rreth 740 gram të substancave narkotike, përfshirë mbi 400 gram marihuanë dhe mbi 330 gram kokainë, të sekuestruara nga të pandehurit. Gjithashtu është kërkuar konfiskimi i një pistolete M57, një karikatori dhe katër fishekëve, si dhe tre automjeteve që janë përdorur për kryerjen e veprave penale. Po ashtu, është propozuar konfiskimi i 2,200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, si dobi pasurore e përfituar nga veprat penale”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit dhe vlerësimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.