Të paktën gjashtë të vrarë gjatë sulmeve ruse në Ukrainë

Rusia ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës të shtunën, duke të vrarë të paktën gjashtë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët.

Katër persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën pasi dy bomba rrëshqitëse goditën një zonë të frekuentuar në rajonin verior të Sumit, thanë autoritetet. Një bombë goditi një stacion autobusi, teksa fotografitë e publikuara nga vendngjarja shfaqën një autobus të dëmtuar nga sulmet.

Dy të tjerë u vranë gjatë sulmeve me raketa në qytetin-port të Odesës, ndërkaq një dron goditi një ndërmarrje në Harkiv, duke plagosur shtatë njerëz.

Në Kiev, kryeqytetin ukrainas, 11 persona u plagosën në sulmet gjatë natës, kur sipas autoriteteve, Rusia përdori raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë.

“Infrastruktura civile u godit edhe para se të lëshohej alarmi për sulme ajrore”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke iu referuar sulmeve ndaj Kievit. “Mbrojtësit tanë arritën t’i rrëzojnë shumicën e objektivave, por jo raketat balistike”.

Ai përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë sa më shpejt paketat e ndihmës me sisteme të mbrojtjes ajrore, për të cilat u ra dakord në samitin e NATO-s të mbajtur këtë javë në Ankara të Turqisë.