Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur ta rihapë edhe një tjetër herë shqyrtimin gjyqësor ndaj Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, të akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Trupi gjykues bëri të ditur se pas këshillimit e votimit kanë marrë vendim për ta rihapur edhe njëherë tjetër shqyrtimin gjyqësor.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, në lidhjen me këtë rast janë shfaqur prova e fakte të reja të cilat duhet të shqyrtohen edhe njëherë tjetër me qëllim të zbardhjes së rastit.
Kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se pretendimet e Prokurorisë të paraqitura në fjalën përfundimtare, lidhur me gjetjen e armës me të cilën ishte kryer krimi, janë kryesor për rihapjen e shqyrtimit.
“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit ka vendosur që shqyrtimit gjyqësor duhet të rihapet për arsye se prokuroria e shtetit në fjalën përfundimtare, duke trajtuar video incizimin nga prokuroria është paraqitur pretendimi se arma që paraqitet në video është arma që është përdorur për kryerjen e krimit, dhe ky pretendim për herë të parë paraqitet nga prokuroria në fjalën përfundimtare. Gjykata gjeti se në fazën e hetimit se vendi në bjeshkë është kontrolluar dhe gjatë atij kontrolli janë gjetur disa fishekë dhe ky raport i policisë nuk është paraqitur nga ana e prokurorisë për administrim. Andaj gjykata sipas detyrës zyrtare ka vlerësuar që ky raport të administrohet”, ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues.
Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj, janë të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në mbrëmjen e 26.11.2021, në autobusin që ishte sulmuar me kallashnikov dhe kishin mbetur të vrarë dy nxënës të moshës 17 vjeçare, L. H. dhe G.M. dhe shoferi i autobusit G. Gj.
Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.
Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj., i cili u vra në sulmin ndaj autobusit.








